Në mbledhjen e Komisionit të Integrimit, teksa ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin prezantoi përpara deputetëve të maxhorancës dhe opozitës progres-raportin e Komisionit Europian, i cili rekomandon çeljen e negociatave me Shqipërinë, Grida Duma e pyeti se çfarë do të përdorin ata për të bindur vendet anëtare.
Ndërkohë Vlahutin i kujtoi se kjo nuk është detyrë e komisionit, pasi pyetja e drejtuar nuk mund të jetë për një diplomate që nuk ka për detyrë të lobojë.
“Unë nuk besoj në lobim, unë mendoj se lobimi është i mbivlerësuar. Unë besoj në cilësinë e rezultateve dhe nuk është puna e komisionit që të shkojë vërdallë dhe të bindë të tjerët”.
Pas kësaj përgjigjeje, Grida Duma zgjodhi që të mos replikojë me ambasadoren e BE-së.





