Një 48-vjeçar i "fiksuar" pas lojërave të fatit në Monreale, provincë në Palermo, ka provokuar një incident me shpresën se do të përfundote në qeli e kështu do të luftonte varësinë të cilën e kishte kuruar me ilaçe dhe psikologë por pa rezultat.

48-vjeçari i papunë, përplasi makinën e tij me makinat e policisë në stacionin e Grisit, në periferi të komunës siçiliane.

Gjatë fjalës së tij, mbajtur përballë gjyqtarit në Gjykatën e Palermos, ai ka treguar se është një lojtar i fiksuar pas kumarit dhe ka arritur deri në pikën sa të shpresojë që arrestimi do të mund ta nxjerrë nga ai "tunel", i cili i ka shkaktuar 200 mijë euro humbje në pesë vitet e fundit.

Imazhet filmike kamerave të sigurisë, instaluar në zonë, konfirmojnë dëmin e shkaktuar vullnetarisht. Makina i është sekuestruar dhe u gjet pa siguracion. Por tentativa e dëshpëruar nuk shërbeu për asgjë, pasi burri është lënë sërish i lirë pas verifikimeve.