Donald Tusk nuk mund të ishte më pozitiv se kaq, për punën e qeverisë shqiptare për çeljen e negociatave. Presidenti i Këshillit Europian tejkaloi çdo pritshmëri në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, qoftë kur iu drejtua personalisht Ramës për t’i garantuar mbështetje, qoftë kur e quajti të mjaftueshme punën e qeverisë për çeljen e negociatave, qoftë kur tha se “ju këtu jeni më europianë se disa europianë të BE-së”, duke iu referuar ekzistencës së harmonisë fetare në vendin tonë.
“Është ëndrra ime personale që shqipëria të ndjekë të njëjtën rrugë të integrimit që ndoqi edhe vendi im” u shpreh Tusk në konferencën me Ramën, duke përmendur gjithsesi sfida si “shteti i të drejtës, lufta krimit organizuar dhe reforma në drejtësi”.
“Ajo që keni bërë është e mjaftueshme për të çelur negociatat dhe nuk është vetëm mendimi im personal, por sfidë është të binden shtetet anëtare. Procesi do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostrade, por është bindje se destinacioni është BE. Edi mund të mbështetesh tek unë në këtë proces. Tradicionalisht jam shumë i kujdesshëm kur flas, por jam optimist kur flitet për këtë perspektivë afatgjatë dhe jam optimist edhe për perspektivën afatshkurtër”, u shpreh Tusk, që përmendi se 78% e eksporteve shqiptare shkojnë në BE, 3% në Kinë dhe 0 në Rusi.





