Alfred Gjeta është një i ri, i cili prej 15 vitesh jeton në Britaninë e Madhe, ndërsa familja e tij është shpërngulur në lagjen 17 në zonën e Ish-Kënetës.
Nisur nga nismat e ndërmarra nga shumë njerëz të njohur të politikës e ekranit si dhe shumë qytetarëve të thjeshtë për të mbjellë pemë, edhe Alfredi, emigranti që është rikthyer në Durrës të vizitojë për disa ditë familjarët, ka menduar të kontribuojë vullnetarisht për zonën.
Gjeta mbolli sot 50 pemë lejlandi anash kanalit të madh "Vala e detit", me shpresën se do të ndikojnë në përmirësimin e jetesës së banorëve të kësaj lagjeje. Madje ai nuk nguron t’iu bëjë thirrje edhe emigrantëve të tjerë, apo bizneseve që të ndihmojnë sadopak në zhvillimin e zonës.
Kjo nismë është përshëndetur edhe nga kreu i njësisë administrative nr.6, Serjan Mazrreku, i cili fton djemtë e rinj dhe banorët që të bëhen pjesë e kësaj iniciative si dhe të kontribuojnë për shndërrimin real të Ish-Kënetës në Durrësin e Ri.





