Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha të mërkurën pas kthimit nga një vizitë dy ditore në Gjermani se rreziku më i madh kundër hapjes së negociatave është qeveria Rama, korrupsioni dhe lidhjet e saj kriminale.
“Tani është ora që Edi Rama të marrë përgjegjësitë e tij. Të mos fshihet pas fishekzjarrëve dhe shashkave, të marrë përgjegjësitë e tij për të lejuar arrestimin e Saimir Tahirit dhe të gjithë atyre që ka mbrojtur duke shkelur ligjin de kushtetutën. Duke lejuar drejtësinë të hetojë dhe vërë para përgjegjësisë çdo politikan dhe zyrtar të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, tha Basha në një dalje për mediat nga selia blu.
Ai tha se shumë shpejt vendet anëtare do të marrin vendimin e tyre, dhe se Partia Demokratike u bën thirrje edhe vendeve skeptike si Gjermania, Franca dhe Holanda të vendosin pro hapjes së negociatave, pasi një vendim negativ ndëshkon Shqipërinë dhe shqiptarët dhe shpërblen keqbërësit.
“Problemet nuk i shpik opozita dhe aq më pak, CDU-CSU apo institucionet evropiane. I gjithë ai diskurs ka për qëllim të fshehë faktin se në Shqipëri ka probleme të mëdha me funksionimin e demokracisë, me shitblerjen e votës.”
Basha tha se “detyra jonë si opozitë është as të fshehim të vërtetën dhe as të bëjmë hipokritin.”
Kreu demokrat përshëndeti vendimin për të rekomanduar hapjen e negociatave të Komisioni Europian, i cili vjen si një lajm i mirë për shqiptarët në një kohë depresioni ekonomik.
“Sa më shumë të përparojmë në procesin e integrimit europian, aq më shumë presion do të ketë mbi qeverinë për çështjet e të drejtave të njeriut si arrestimi i qytetarëve në Kukës në mes të natës dhe i arrestimit të peshqve të mëdhenj si Saimir Tahiri, në standarde të demokracisë, presionin ndaj mediave etj.”
Vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë pritet të zyrtarizohet në samitin e Këshillit të Europës në datat 28-29 Qershor.





