Kryeministri Edi Rama gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i ka bërë thirrje opozitës dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës që të jenë të bashkuar në këtë qëllim për integrimin e Shqipërisë në BE.

"Jemi përgatitur për të dëgjuar edhe çudira në vijim, se loja politike nuk është ndonjë gjë e vështirë për t’u kuptuar. Por këto janë problematika krejt të natyrshme që do i trajtojmë me qetësi, vendosmërinë e argumentave dhe dëftesa që kemi në dorë nga dje na e bën më të lehtë këtë punë jo të lehtë. Por sot i lutem, jo si kryeministër, por si shqiptar, si qytetar edhe si koleg, përfaqësuesve të opozitës që të mos bashkëpunojnë me faktor të jashtëm politik që për interesa të brendshme do ta pengojë Shqipërinë në këtë proces. Të mos eksportojnë baltën e luftës tonë të brendshme politike, por ta lënë mënjanë mllefin kur flasin në gjuhë të huaj. Ftoj Bashën të bëhemi një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, dhe t’u kërkojmë të gjithë atyre që na vizitojnë në Shqipëri respekt për këtë vend. Nuk kam fituar unë e PS dje, ka fituar e gjithë Shqipëria, e dimë të gjithë që shqiptarët, të majtë apo të djathtë, nuk kanë mes tyre asnjë ndasi."