Pas rekomandimit pozitiv të KE, për hapjen e negociatave, ka dalë në një deklaratë për mediat kryeministri Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ky është një lajm shumë i mirë dhe ka fituar atdheu, i cili ka qenë i përgojuar për shumë vite.
Rama tha se nuk ishte as një dhuratë dhe as gjest bujarie nga Bashkimi Evropian, por është një fryt i një pune të madhe me reforma të thella.
Pjesë nga deklarata:
Shqipëria sapo ka hapur një kapitull të ri të historisë së saj si shtet. Nuk jemi një vend që donim të bëheshim si Evropa, sot kemi kaluar sprovën historike në një ngjitje në shkallë të re.
Jemi një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën evropiane. Jam i emocionuar dhe shumë krenar për këtë arritje. Dolëm nga një tjetër udhëkryq mes të shkruarës dhe të ardhmes.
Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge është anëtarësimi, dhe shpejtësia e mbërritjes në atë stacion varet nga ne.
Respekt dhe mirënjohje sot për të gjithë ata që dhanë një dorë për rrugën evropiane.
Ia kemi dalë që në katër vjet të kthejmë besimin e popullit tek ne, arritëm që të marrim këtë status.
Këto nuk janë dhurata dhe as gjeste bujarie, Evropa nuk bën dhurata, Brukseli sheh dhe njeh vetëm meritën.
Është njohja e meritave tonë për të bërë shtet me reforma reale.
Rekomandimi për çeljen e negociatave, nuk është fundi i betejave me krimin dhe korrupsionin, dhe futemi në një fazë më të thellë të reformave.





