Nga Berlini, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në një lidhje ‘live’ para nisjes se seancës së posaçme dëgjimore nga Komisioni i Politikës së Jashtme dhe ai Çështjeve Europiane të Bundestagut gjerman, Basha tha se “shqetësimet kryesore të grupit CDU-CSU në këtë komision kanë të bëjnë me luftën kundër drogës, me luftën kundër korrupsionit. Kanë të bëjnë me reformën në drejtësi dhe qëndrimi është skeptik sa i përket hapjes së negociatave.”

Por Basha do të përpiqet të bindë partnerët për hapjen e negociatave si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi ndaj qeverisë.

"Detyra më e vështirë është të bindim këtë komision sot që nga njëra anë, problemet reale në Shqipëri që ekzistojnë dhe për të cilat ata kanë raportimet e tyre objektive dhe konkrete edhe nga agjencitë e ligjzbatimit dhe nga burime të tjera gjermane dhe europiane. Por që nga ana tjetër këto probleme mund të luftohen më efektivisht me hapjen e negociatave dhe jo me mos hapjen e tyre dhe që opozita është e bashkuar në thirrjen e saj për të kërkuar hapjen e negociatave edhe si një mjet shtesë presioni dhe monitorimi për të intensifikuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për të mundësuar zbatimin e vërtetë të Reformës në Drejtësi, një drejtësi të pakapur politikisht. Me gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por edhe për çështje të tjera siç është reforma e Administratës Publike dhe Reforma Zgjedhore."

Basha tha se është detyrë e opozitës të bindë anëtarët skeptikë të këtij komisioni për hapjen e negoiciatave.

"Kjo është detyra që kemi sot dhe do të thoja pjesa më e vështirë e misionit këtu në Berlin për të bindur anëtarët e këtij komisioni që i përkasin spektrit më skeptik për hapjen e negociatave."