Me kërkesë të Partisë Socialiste, Byroja e Kuvendit vendosi pasditen e së enjtes përjashtimin me 10 ditë të 6 deputetëve opozitarë.

Flamur Noka u përjashtua për shkak se hodhi miell në drejtim të Kryeministrit Rama, ndërsa deputetët Klevis Balliu, Ervin Salianji dhe Kejdi Mehmetat për gjuajtje me vezë, topa letre dhe shishe uji.

Për sjellje të ngjashme dhe shkelje të rregullores u përjashtuan edhe deputetët Edi Paloka dhe Endrit Brahimllari.

Në mbledhjen që nisi në orën 18:00, u shqyrtua edhe sjellja e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili reagoi duke lagur me ujë deputetët e opozitës. Edhe Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën u përjashtua me 10 ditë.

Me anë të një postimi në Facebook, Bushati kërkoi ndjesë për gjestin dhe njëherazi akuzoi opozitën se kërkon të bllokojë integrimin e t’i shpëtojë reformës në drejtësi.