Disa makina interesante, të veçanta në llojin e tyre me një arkivol të improvizuar sipër ku ‘prehej’ personazhi i Drakulës, dhe po ashtu edhe njerëzit po aq interesantë që lëviznin me to, kanë kuriozuar syrin e qytetarëve durrsakë kur i kanë parë dje në Durrës.

Nga një bisedë që fotografi i “DurrësLajm” pati me ta, mësoi se janë një grup artistësh të rinj nga Zvicra, që kanë ardhur për një tur të shkurtër në Shqipëri. Të martën ata ishin ndalur në qytetin bregdetar, për të parë destinacionet turistike me të cilat identifikohet vendi ynë.

Teksa u kishte lënë mbresa Amfiteatri, nga ana tjetër ata vetë u lanë përshtypje të mëdha durrsakëve që ndaleshin për t’i fotografuar, pasi nuk kishin parë ndonjëherë më parë një varg makinash të tilla, të cilat dukeshin sikur ishin dekoruar për festën e Halloween-it.

Artistët e 'frikshëm' të Zvicrës na treguan stilin e tyre hard, që i dallon nga të tjerët. Madje njëri prej tyre tha që kishte fjetur në arkivolin e Drakulës. Vërtet guximtarë këta zviceranë…