Partia Socialiste e Shkodrës ka reaguar pas denoncimit që ka publikuar në Facebook e tij, ish-kryeministri Sali Berisha, për një ish-punonjës policie i cili i dergonte foto nudo një vajze të re nga Shkodra.
Ka qenë kjo e fundit e cila ka denoncuar me foto dhe emër e mbiemër ish-policin, gjithashtu anëtar i Partisë Socialiste në këtë qytet.
Me një reagim në ‘Facebook’, dega e Partisë Socialiste në Shkodër deklaron se distancohet nga ngjarja e shëmtuar dhe denigruese dhe se shtetasi B.Q. nuk mban asnjë funksion të asnjë niveli në strukturat e Partisë Socialiste Shkodër.
REAGIMI I PS SHKODËR:
Të nderuar qytetarë të qytetit të Shkodrës dhe ju anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste!
Nisur nga denoncimi që u bë publik pak më herët në rrjetet sociale, rreth shtetasit B.Q. për kanosje dhe postime të pamjeve të pahijshme ndaj një 20-vjeçareje nga Shkodra, shprehim distancimin tonë të prerë ndaj një fenomeni të tillë të shëmtuar dhe denigrues.
Njëkohësisht dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik që shtetasi B.Q. nuk mban asnjë funksion të asnjë niveli në strukturat e Partisë Socialiste Shkodër.
Partia Socialiste Shkodër, distancohet jo vetëm nga ky gjest i shëmtuar, por njëkohësisht edhe nga çdo aludim që qytetarja ngre rreth ndërhyrjes së strukturave apo funksionarëve partiakë në punën e institucioneve shtetërore.





