Nga Gladiola JORBUS
Poezia, ashtu si letërsia dhe artet e tjera në përgjithësi është e lidhur me kohën kur jetojmë. Ajo është lehtësisjt e ndjeshmendaj ideve, shijeve estetike, tendencave, vlerave dhe paragjykimeve të kontekstit bashkëkohor. Internet dhe teknologjia tejet e avancuar e kanë zhytur njerëzimin e këtij shekulli në honet e një adoleshence të pambarimtë,para së cilës poezia është strukur dhe I duhet të kalojë Golgotën që të konsiderohet një perëndeshë, ashtu siç është në të vërtetë nga lexuesi I sotëm.
Poezia mbetet e paparashikueshme, fantazma kapricioze e kujtesës në luftë me ëndrrën, të qenit simultanisht në disa vende. Poezia realizohet në vetvete duke pranuar përvojën jetësore të lexuesit, mbetet e vetmja që të ofron fjalën e lexuar dhe imazhin në parametrat e kuptimit intelektual, shqisor dhe emocional. Të gjitha ekspresionet metaforike të përmbajtjeve njerëzore që I korrespondojnë skemave të caktuara stilistike janë realisht poezi. Fjala e krijuar, e fabrikuar, e kompozuar që I jep dritë, kuptim e plotësi; ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë.
Po në fakt, ç’është poezia? Kjo pyetje të vë me shpatulla pas murit, edhe nëse ti ke shkruar vetë poezi, ke lexuar, ke takuar poetë (personalisht veçoj ditët e kaluara me gjnitë e mëdhenj krijues Ali Podrimja e Agim Gjakova gjatë ditëve të paharruara të festivalit “Poeteka 2008” apo ke shfletuar pamflete të tëra mbi këtë argument. Ndoshta poezia luan kukafshehtas me ne, teksa lind fëmijët e saj,I mëson paksa të ecë dhe më pas zhduket; fluturon drejt qiellit a drejt thellësive të detit; këtë çast sublime sa një pulitje sysh, e mbartim me vete si enigmë. Teksa shkruaj këto mbresa jam përballë madhështisë së Adriatikut, që për shekuj me radhë dallgëzoi mbi vete fatin antic të Epidamnusit, Dyrrachiumit e Durrësit të sotëm. Dallgët e tij ngjasojnë me dallgëte jetës që ngultas të çojnë në kapërthimet e përqafimet e ekzistencës poetike, dramatike e tragjike të individualitetit të qenësishëm krijues. A qenka vallë poezia, jeta që lëvrin në majën e lapsit?! Përcjell vargjet:
“Tashmë e di,
Nuk është e lehtë të besosh,
Nuk është e lehtë të jetosh,
Nuk është e lehtë të vdesësh
Dhe as të dashurosh…
E lehtë nuk qenka,jo
Të ndahesh nga kjo botë.
Sytë e zemrës qajnë
Për fjalët që s’thanë dot”…
(Kushtuar të ndjerit babait tim)
Kur shkruan poezi, lind dhe paradoksi i madh. Nuk shkruhet ajo që ti di, por ti fillon të dish, kur nis të shkruash. Poezia është vetëdije, zgjim,rikthim; ajo gëlon, formësohet, kërkon të flaës.ngarkesat emocionale kërkojnë vazhdimisht hapësira të reja për t’u shprehur. Ndjesitë e harruara, për të mos thënë të harruara, rikthehen në jetë, kur ne bëjmë pikërisht këtë udhëtim brenda vetes. Atëherë I rikthejmë lirinë, I heqim prangat shpirtit a esencës sonë më të përkryer, më afër hyjnores.
Poezia na bën më të ndjeshëm, më të dëlirë, më vulnerabël; është proces krijimi ku ti, një lloj perëndie krijues kompozon fjalë të unifikuara nga tingujt e muzikaliteti. Poezia është liri, pavarësi, dashuri, nuk njeh limite; poeti misionar, poeti që shkrihet për të dhuruar dritë si qiriri naimjan, poeti që ushqen me gjakun krijues lasgushian – nositët e tij lexues.
Përtë shkruar një poezi të çiltër, të bukur, të ndjerë nuk të shërbejnë as diplomat, as titujt shkencorë, as studimet akademike; mjafton thjesht të dish, të njohësh veten, (siç shprehej dhe Sokrati shekuj më parë) e më pas të deshifrosh sekretet e fshehura në meandret e shpirtit.
Vëllimet poetike femërore janë vetë dashuria, poezia që krijohet nga arketipi femëror. Lindja e çdo arti është bekim e shpëtim, por poezia mbetet zotëruese e emocioneve, strehëz dashurie, ku jeta vdes dhe ringjallet sërish. Poezia zbulon pentagramin intim, zërin vetjak, tek ajo spikat plotshmëria e imazheve të fuqishme bashkëkohore, poezia është natyra që flet, që zbulon ekzistencën e saj; pafundësinë e gjallesës që lëvrin në të…
Poezia nuk dorëzohet, s’përpëlitet, nuk regëtin/ ajo ushqehet veç me kurajo, besim, ëndrra e shpresë, me vetë shpirtin e atij që shkruan, sepse te secila syresh, pra poezi evidentojmë delirimin, fjalë, togfjalësha që i largohen tokësores e empirikes. Shpeshherë, krijimtaria mund të jetë një formë a mënyrë rebelimi kundër privimit, represionit e diskriminimit. Poezia duhet konsideruar si një res communes i njerëzimit, emëruesi I përbashkët humanist, teksa me finesë e përmbyll fjalën e saj, ashtu si femrat e përmbyllin hijshëm jetën brenda mitrave të tyre.
Përralla e dashurisë
Dashurinë e vodha nga një përrallë
Nën lëkurën e një tjetri jam.
Oh! Hiqmani këtë kurm!
S’e dua më, tash jo.
Këmbët e mia, krahët
Me forcë po i shqis,
Fytyrën, vijëzimet e duarve,
Me endje i gris.
Plot aromë të njomë aguliçesh
Shpirtin flladis.
Në ujëra të qashtra kristal,
Rizgjohem Narcis.
Oh, dashuri! Si prafullimë
Xixëllon në damarët e mi.
Moj Zanë idhnake,
Nuk jam aspak ,
Më e paktë nga ti.
“Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, I cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje a prozë poetike. Poezia vjen nga greqishtja ποίησις / kjo merret apriori dhe përkthehet veprim, krijim, deri këtu biem të gjithë unanimisht dakord, por unë në pikëpamjen time a vetëdijen time, fjalën poezi e ndaj në tri rrokje /po – e – zi/, pra brenda kujtdo poeti diçka po zien, po bluhet, po mbarset, po ngjizet. Poezia është një formë komunikim autor – lexues, ndonjeherë e krahasueshme me manikeizmin, rrymë në shekullin III, pas Krishtit, e cila mbështetej mbi besimin radikalisht dualist të dy parimeve bazë: Drita dhe Errësira, sa të ndryshme aq dhe koherente, sa të pavarura aq dhe kontrastuese, që influencojnë e prekin çdo aspect të sjelljes dhe të ekzistencës njerëzore.
Poeti rrëmon gjithçka, shfaqet shenjtor, profet, sheh me sytë e shpirtit, ka intuitë artistike, është një medium që frymëzon, shëron, rrëfen, parandjen, endet në hapësirat e lirizmit, mih fjalën,kadencën, vargun,poezinë vetë. Çdo poet mbart gurgullimën e vendlindjes brenda zemrës dhe vargjeve të veta;poetët shqiptarë e endin poezinë në pëlhurën e çmueshme të gjuhës shqipe. Trekëndëshi poezi – gjuhë shqipe – figura stilistike na çon në një deduksion :” Mjerimi fillon aty ku librat mbarojnë”. Poezia është zëri i botës, një lashtësi pa kronologji apo siç shprehet Octavio Paz: “Meriton atë që ëndërron”, kurse unë do të deduktoja se “Duhet të shkruajmë bukur, që të ndihemi bukur, e kështu do të jetojmë bukur”.
Ndaj pyetjes madhore ç’është poezia i përgjigjem thjesht, se në këtë botë shifrash marramendëse, ku morali dhe vlerat vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës poetike është e vetmja puhizë e freskët që i sjell oksigjen shpirtit të munduar nga pikëllimet, shqetësimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.
Jam poezi
Jam kurora e hënës
Një perëndim i zhytyr thellësive.
Jam një lug i gjerë,
murrak e vrungullues.
Mes dhembjes e lumturisë,
mes mëkatit e shenjtërisë
Bëhem vello e gjatë
mbi ëndrra të bardha.
Ngjizur ndër tinguj,
mes vargjesh kreshpëruar.
Si pëshpëritje dashurie
Mbi buzën e nxehtë të gruas.
Jam fantazma binjake
E kupës qiellore
Kështjell’ e fjalës krenare
E brishtë, e pamposhtur, idhnake.
Jam poezi.