Nuk është vonuar asnjë ditë Partia Socialiste në Durrës pas “shpërqëndrimit” dhe “konfliktit” që ka shkaktuar vendosja e taksës së rrugës Durrës-Kukës. Kryeministri Edi Rama në këtë konflikt ka hedhur një hap para e dy pas duke ia matur mirë pulsin shqiptarëve që protestojnë herë me logon e lëvizjes qytetare e herë nën logon e opozitës.  

Duke parë se mbështetësit e qeverisë janë sot shumë të pasigurt pas vendosjes së kësaj takse, socialistët e Durrësit kanë nisur fushatën elektorale për zgjedhjet vendore.

Rasti konkret është mbledhja e portit të Durrësit pak ditë më parë, ku drejtori i sapoemëruar në këtë detyrë i bëri “apelin” në mbledhje të gjithë administratës.

Lajmërimi ishte se zhvillohej analiza ekonomiko-finaciare e vitit 2017 të Autoritetit Portual Durrës, por në realitet vetëm analizë nuk ishte, përveç se në orën 14.00, e gjithë administrata pa asnjë hezitim, duhej të paraqitej në këtë mbledhje e cila ngjante me analizat e kohës së Enver Hoxhës, ku fliste i pari dhe të gjithë duhet ta miratonin pa asnjë pyetje dhe pa asnjë hezitim apo diskutim. 

Vetë administrata e APD-së e quajti këtë një pikë për nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Ndër socialistët e Durrësit kuptohet që ka edhe shumë qejfmbetur e qejfprishur për shkak të punësimeve, por socialistët kanë nisur ta bindin që tani popullin se kë duhet të votojë e kë duhet të mbështesë në zgjedhjet për vitin e ardhshëm.  

Me këtë opozitë që është në Durrës, PS nuk do ta ketë fare të vështirë fitoren sepse dega lokale e selisë blu është inekzistente.

K.H.