Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike këshilla se si “t’i kundërvihet dhunës dhe agresionit” të Kosovë ndaj serbëve.
Në një komunikatë të zyrës së presidenti serb, thuhet se ai e ka informuar presidentin rus mbi “sulmin brutal” të policisë së Kosovës ndaj një zyrtari serb të hënën i cili u arrestua dhe u dëbua pasi që hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve.
Në komunikatë thuhet se ai kërkoi këshillat e Putinit, “sepse është e qartë që shqiptarët e Kosovës gëzojnë një mbështetje të gjerë të një numri vendesh perëndimore për shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, dhjetë vjet më parë.
Në komunikatë nuk thuhet nëse presidenti rus i ka ofruar ndonjë këshillë.
Kremlini tha ndërkaq se presidenti Vladimir Putin e ka dënuar fuqishëm arrestimin e zyrtarit serb. Në një komunikatë u tha se presidenti Putin dhe presidenti Vuçiç diskutuan çështjen e Kosovës “në kontekstin e aksionit provokues të Prishtinës” kundër Marko Gjuriçit, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.
Në komunikatë thuhet se Putini “e dënoi me vendosmëri” arrestimin e Gjuriçit, veprim që sipas tij “shkelë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Policia e Kosovës ndërhyri të hënën duke arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, të cilin e dëboi më pas për në Serbi. Ndërhyrja nxiti reagimin e ashpër të Beogradit por edhe shqetësimet për qëndrueshmërinë e rajonit.
Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian
Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Rusinë.
Presidenti serb tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se e ka siguruar presidentin rus se Serbia nuk do të marrë pjesë në kurrfarë masash kundër federatës ruse dhe nuk do të dëbojë diplomatët e saj pavarësisht faktit se pothuajse të gjitha vendet e rajonit ku ndodhet Serbia e kanë bërë tashmë një gjë të tillë. /VOA