Natën në mes të 13 dhe 14 marsit të këtij viti, dy nxënëse të shkollës “Falkschule” në lagjen e Frankfurtit Bockenheim, janë dëbuar për në Kosovë. Shokët dhe shoqet e tyre të klasës kanë filluar protestat.

Me zë të lartë, nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Falkschule”, pasditen e së enjtes e kanë tërhequr vëmendjen e opinionit, para organeve komunale në rrugën “Kleyerstrasse” në Bockenheim. Nxënësit e klasave të shtata e deri të dhjeta, kanë mbajtur pankarta në ajër, kanë fishkëllyer dhe brohoritur në kor: “Jemi të zemëruar, pasi po na vidhet miqësia”, shkruan albinfo.ch.

Arsyeja për zemërimin e tyre është dëbimi i shoqeve të tyre shqiptare të klasës, Elda dhe Ema Krasniqi. Familja e vajzave të cilat vijonin mësimin në klasën e shtatë dhe të dhjetë, është dëbuar nga policia për në Kosovë, natën e 14 marsit të këtij viti.

Pothuajse tre vite Elda dhe Ema e kanë vijuar mësimin në shkollën “Falkschule”, sipas drejtoreshës Andrea Pohl, ato kanë qenë tërësisht të integruara, duke pasqyruar qëndrim shembullor social. Për të mos u ulur më së bashku në klasë me dy shoqet e saja Amina Sadikovic dhe Layla Ujkanovic, Elda i ka informuar përmes smartfonit. “Tani jemi para përfundimit të gjysmëmaturës, ndoshta Elda nuk do të mund ta përfundojë më. Jemi të shokuara e të pikëlluara”, ka pohuar Amina 16-vjeçare.

I gjithë stafi shkollor është tronditur nga dëbimi, shkruan “Frankfurter Rundschau”, përcjell albinfo.ch.

Për këtë veprim nuk ka pasur paralajmërim zyrtar. “Këtë lajm e morëm vetëm nga nxënësit tanë”, ka vazhduar më tej drejtoresha. Në një e-mail të cilin e ka dërguar Elda, në adresë të gazetës në fjalë, thuhet se familja kosovare në Gjermani kishte ardhur në janar të vitit 2015, në kërkim të ndonjë vendi të punës. Babai i saj, Shefki Krasniqi në Gjermani kishte gjetur një punë, por nuk është pajisur me leje të punës.

Drejtoresha Pohl dhe mësuesit e shkollës, përmes një shkrimi i janë drejtuar Sylvia Weberit nga Departamenti i Arsimit, të cilën e kanë lutur për përkrahje në mënyrë që familja Krasniqi sërish të kthehet në Gjermani dhe vajzat të mund ta përfundojnë shkollimin.

Por, ligji e vlerëson Kosovën si shtet me origjinë të sigurt. Jan Pasternack, referent i Departamentit të Arsimit dhe Integrimit ka deklaruar: “Për rastin në fjalë morëm vesh të mërkurën nga drejtoria shkollore dhe nuk mund të prononcohemi më konkretisht”.

Megjithatë, këshilltarja Weber, në një të ardhme të afërt do të takohet me stafin shkollor në lidhje me rastin. “Fillimisht duhet ta shqyrtojmë situatën e më pas mund të bisedojmë lidhur me mundësitë”, ka pohuar Pasternack.

Në emër të familjes së saj, Elda i ka falënderuar përmes e-mailit nxënësit dhe mësuesit e “Falkschule”, shkruan më tej albinfo.ch.

Për ta është një fat i madh që kanë hasur në përkrahje aq të madhe. Ajo dhe motra dhe prindërit e tyre janë duke shpresuar se së shpejti do të mund të kthehen në Gjermani.

Një nxënëse gjermane e cila foli para protestuesve gjatë të enjtes, ka nënvizuar: “Shumica më pyetën nëse ky veprim do të ndryshojë rrjedhën. Por, nëse nuk lufton, atëherë ke humbur”.