Ky është momenti tronditës kur një automjet humbi kontrollin dhe u fut në një supermarket në West Yorkshire në Angli.

Në video shihet mjeti tip Peugeot teksa futet brenda në market dhe thyen xhamat e raftet. Fatmirësisht nuk pati viktima, por vetëm dëme materiale. Vetëm një minutë më parë, një nënë bashkë me fëmijën e saj ishin larguar nga marketi. Nëse do të ishin ndodhur aty në momentin e përplasjes ndoshta bilanci i aksidentit do të kishte qenë i rëndë, raporton Daily Mail.

Pronari i marketit, Kiran Patel, 61 vjeç, në momentet që ndodhi shembja e rafteve tha se ishte me fat që askush nuk u godit nga automjeti që doli jashtë kontrollit.

Ai tha se është hera e katërt që një incident i këtij lloji ka ndodhur në 27 vite në dyqanin e tij, White Lee në Batley, West Yorkshire.

“Kam mbaruar duke i shërbyer klientëve dhe u ktheva për të shkuar në një raft të dyqanit që kemi. Pastaj dëgjova një përplasje të madhe dhe u ngjesha menjëherë në banak. Vura re se kishte një makinë brenda dyqanit. Ishte shkatërruar gjysma e dyqanit tim, nuk mund ta besoja. Është kaq e rrezikshme dhe dikush mund të vritej kaq lehtë”, tha Patel.