Raportimi i medieve serbe sot se Amerika do t’ia prezantojë një plan katër pikësh presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me Kosovën, ka shkaktuar shumë reagime në Serbi. Sipas atij plani, Kosova do ta formonte Asociacionin, kurse Serbia nuk do ta pengonte Kosovën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Pas Marko Gjuriqit, ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin.
Ai thotë se këto janë vetëm presione, të cilave Serbia nuk do tu nënshtrohet, që sipas tij bëhen për ta njohur Kosovën.
“Serbia nuk do të bëj asgjë që është në kurriz të interesave jetike për Serbinë, dhe nuk ka presion që na bind të pajtohemi për njohjen e Kosovës”, tha Vulin.
Vulin thekson se Serbia asnjëherë nuk do ta ndryshojë qëndrimin karshi Kosovës.
“Kjo nuk është hera e parë që ushtrohet presion mbi qeverinë serbe dhe Vuçiqin. Pra të gjithë mund të shkruajnë dhe spekulojnë, por Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Diskutimet tona me qeverinë e Kosovës kanë qenë në mënyrë që njerëzit në territorin e Kosovës të jetojnë më mirë”, tha ministri serb i mbrojtjes, transmeton lajmi.net.
Ai ka kërkuar themelimin e menjëherëshm të Asociacionit, çka sipas tij mundëson që Serbia të mbetet e pranishme në Kosovë.
“Prishtina nuk po e zbaton marrëveshjen e Brukselit. A mendon dikush se Prishtina në këto katër vite që ka dështuar me Asociacionin po e ndihmon pavarësinë? Marrëveshja e Brukselit është shumë e rendësishme, dhe ajo nuk ka gjasa të negociohet përsëri”, deklaron ministri serb.
“Bashkësia e komunave serbe është përcaktuar nga marrëveshja e Brukselit, dhe nuk mund të jetë subjekt i negociatave të reja. Ne kemi negociuar tashmë për të, dhe ajo duhet vetëm të zbatohet. Nuk duhet të bëjmë lëshime në diçka që e kemi arritur”, përfundoi Aleksandar Vulin.
Ky reagim i ministrit serb erdhi pasi gazeta serbe Novosti raportoi për një plan që Amerika do t’ia paraqesë Serbisë në lidhje me Kosovën.
Sipas burimeve të gazetës serbe ky dokument do të bëhet pasi Amerika nuk është e kënaqur me mënyrën si po shkon dialogu i monitoruar nga Brukseli.
Kjo paketë do t’i dorëzohej Vuçiqit në vizitën e ndihmës-sekretarit amerikan, Wes Mitchell.
Nëse pala serbe bie dakord me këtë paketë, Serbisë do t’i mundësohet bashkimi me BE, dhe se Shtetet e Bashkuara do të garantojnë mbështetje më të madhe ekonomike dhe diplomatike në arenën politike ndërkombëtare, thoshte gazeta.
Madje nëse Serbia e refuzon këtë ofertë, do të kishte edhe pasoja.
“Pasoja e parë tashmë është kanosëse – bllokimin e integrimit evropian të vendit tonë, apo humbjen e një shans për t’u bërë anëtare e BE-së. Faktori i dytë i rrezikut është një humbje e vlerësuar e investimeve të huaja direkte, veçanërisht nga vendet e BE, e cila do të jetë një goditje e madhe për ekonominë serbe”, thuhej në raportin e gazetës serbe.
Ndaj kësaj reagoi drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq i cili tha se Serbia e ka planin e vet për Kosovën.