Në katin e dytë të spitalit të Durrësit në repartin e Ortopedisë prej fundjavës ka mbërritur Evisa Preka, nëna 36-vjeçare e cila një javë më parë humbi në një aksident tre fëmijët e saj dhe bashkëshortin në segmentin Velipojë-Shkodër.
36-vjeçarja është marrë nga spitali i Shkodrës nga familjarët e saj për kurim në spitalin e Durrësit, ndërsa pranë shtratit nuk i ndahen për asnjë moment dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj.
Barra më e rëndë i ra të atit, Nuredinit, i cili mori guximin dhe i tregoi vajzës së tij se nga aksidenti kishte mbijetuar vetëm ajo, ndërsa tre fëmijët dhe bashkëshorti nuk kishin mbijetuar dot.
Babai 73-vjeçar i Evisës, në një intervistë për “DurrësLajm” tregon jo vetëm që janë të shokuar nga aksidenti ku kanë humbur dy mbesat, nipin dhe dhëndrin e tyre, por një tjetër dhimbje iu vret zemrën edhe më shumë. Indiferenca e shtetit për nënën që humbi të gjithë familjen. Babai rrëfen mes lotësh që rrjedhin pa pushim historinë e së bijës prej momentit kur u dashurua.
“Unë jam shumë i lidhur me Visën, aq sa nuk mund ta merrni me mend. Ne jemi shok më shumë se prind, Visa është zemra e babit, është e vogla ime. Më thoshte: babi më sill fëmijët këtu se dua t’i shoh. Dua fëmijët më thoshte. Unë i thosha që janë në reanimacion, janë të fashuar dhe i shikoj nga xhami i dritares se nuk më lënë të hyj atje. I thosha janë mirë, po bëhu mirë ti.
Më thoshte pa pushim dua fëmijët e dua fëmijët. Diçka kishte kuptuar për vajzën e djalin e vogël.
Pasi edhe Noemi i gjyshit ndërroi jetë, unë i kërkova mjekëve të spitalit të Shkodrës të më sillnin në Durrës vajzën për kurim dhe ata nuk ma prishën qefin. Vajza ime është kthyer nga vdekja dhe për ne si gjyshër është humbje e rëndë si plumbi”, rrëfen ai mes lotësh.
Z. Nuredin, keni folur ku kishin qenë para aksidentit?
Kam bërë biseda këto dy ditë e më thotë se kujton që kishin qenë për vizitë te një shoku i ngushtë i dhëndrit në Vilun. Një javë para aksidentit kishin drekuar me ta familjarisht e fëmijët kishin luajtur së bashku. Atë ditë u kishin kthyer vizitën. Ishin duke u kthyer në shtëpi të gjithë. Sapo kishin kaluar kishën e Velipojës, ishin maksimumi 600 metra larg prej shtëpisë ku banonin.
Nuk e kujtoj thotë përplasjen, por mban mend kur kishte fluturuar jashtë makine dhe dëgjonte Ajselin që qante: duam mamin, duam mamin. Nga duart i kishte fluturuar edhe Rejani. Noemin e kujtonte që e kishte pranë vetes. Ah ç’më ka gjetur mua me të vegjlit e mi…
Zoti Nuredin, kur folët ju për herë të fundit me nipërit tuaj?
Atë pasdite në kamerën e celularit. Fëmijët po luanin dhe Evisa më tha që babi jemi kënaqur se i kemi shokë të mirë shumë këta këtu. Më dërgoi foto e video.
Çfarë meraku keni për vajzën?
Ah çfarë meraku kam unë si prind. Unë e ime shoqe kemi barrën ta sjellim në vete. Po si nuk u kujtua njeri nga shteti të vijë e të vizitojë këtë nënë që humbi të gjithë familjen? Vajza ime do kohë të rehabilitohet fizikisht.
Nuredin, si janë njohur vajza dhe ish-dhëndri?
Janë njohur në Itali janë dashuruar me njëri- tjetrin. Vajza këtu mbaroi të mesmen për gjuhë të huaja. Më pas nuk e vijoi universitetin. Unë e nisa në Itali tek të dy vëllezërit. Rrinin të tre fëmijët bashkë. Atje është njohur me Mondin. Ai ishte katolik dhe ne myslimanë, por kjo nuk përbënte problem për ne. Unë i thashë nëse e do ti, për ne na mjafton që të jesh e lumtur. Atje e lindi Noemin mbesën e madhe. Edhe dhëndri ishte emigrant në Rimini. Djali Arturi na bëri dokumentet dhe ikëm në Itali edhe unë me gruan. Noemin e kemi rritur vetë. Ishte pika jonë e dobët, vogëlushja e gjyshit.
Gjyshi i tre vogëlushëve të ndjerë herë pas here qan, ndërsa i biri Arturi i hedh dorën në sup dhe e shtrëngon fort të atin.
Mjekët e spitalit të Durrësit i qëndrojnë te koka ashtu si të afërmit. 36-vjeçarja mbahet nën efektin e qetësuesve të shumtë.
K.H.