Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviç kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve, njofton Klan Kosova.

“Duke respektuar angazhimet që kemi si president i vendit por edhe me domosdoshmërinë e kryerjes së obligimeve kushtetuese dhe ligjore për ndërtimin e fqinjësisë së mirë por edhe përshpejtimin në rrugëtim të sigurt të perspektivës evropiane për Kosovën.

Duke respektuar strategjinë e Komisionit Evropain por edhe duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe vizionin për institucionet vendit, për të ardhmen euroatlantike dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova ka nënshkruar qoftë me fqinjët dhe obligimet që ka marrë karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh edhe domosdoshmërinë e implementimit të të gjitha kritereve demokratike për të ardhmen evropiane apo reformat qoftë në ekonomi, legjislacion, politikë, kriteret e Kopenhagenit”.

“Në këtë dhjetëvjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm që po përshëndetet nga të gjithë, qoftë në rrafshin e konsolidimit të brendshëm apo fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj, Kosova ka marrë obligime që ka nënshkruar, qoftë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serve edhe nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacionin mes shtetit të Kosovës dhe Malit të Zi”.

“Në domosdoshmërinë e lëvizjes sa më të shpejtë, më produktive dhe konkrete të perspektivës evropiane, me qëllim të fuqizimit të fqinjësisë së mirë për raportet e Kosovës me të gjitha vendet e rajonit dhe me Malin e Zi, por edhe domosdoshmërinë për ratifikimin në Kuvendin e Kosovës”.

“Duke vlerësuar edhe momentin e mirë të autoriteteve të shtetit të Malit të Zi dhe vullnetin e lidershipit kosovar, dua të shpalos para jush se në 48 orët e fundit dhe përpjekjet e pandërprera tonat edhe miqve ndërkombëtar, tash e dy vjet e gjysmë unë si president i Kosovës dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç nxorëm një deklaratë të përbashkët që inkurajojmë Kuvendin e Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen mbi kufirin shtetëror që është nënshkruar në Vjenë”.

I pari i vendit në një konferencë për media ka thënë se “kjo deklaratë e përbashkët është bazuar, nisur nga besimi i ndërsjellë dhe vullneti i mirë sikur edhe nevojat për avancimin e partneritetit strategjik por duke respektuar sovranitetitn dhe integritetin territorial”.

“Kjo deklaratë e përbashkët e dy presidentëve, u bën thirrje organeve kompetente që të përmbyllet ratifikimi”.

 “Do të kemi trupë të përbashkët për shënjimin e vijës kufitare, ky grup punues nëse paraqitet nevoja do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për përkushtimet e përbashkëta”./Klan Kosova