Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar sot nga detyra tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit Durrës: Petrit Çenon, Kliton Spahiun dhe Petraq Dhimitrin.
Ky vendim erdhi pasi anëtarët e Këshillit u njohën dhe shqyrtuan informacionin e ardhur nga drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me datë 06.02.2018, ku njoftohej marrja si të pandehur të tre gjyqtarëve të sipërcituar.
Për këtë vendimin ka reaguar ekskluzivisht për Javanews.al edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Sipas tij, Ambasada e SHBA mirëpret këtë vendim.
“Ambasada e SHBA mirëpret pezullimin e tre gjyqtareve te Gjykatës se Apelit Durrës, përfshi kryegjyqtarin, ndërkohë që janë marrë të pandehur për korrupsion të rëndë. Shtetet e Bashkuara mbështesin hetime dhe ndjekje penale serioze për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Gjyqtarët e pandehur për korrupsion duhet të pezullohen ndërkohë që presin gjyqin”, ka qenë ky reagimi i ambasadorit Donald Lu.





