Kryeministri Edi Rama ka qenë në Fier sot, ku bashkë me kryebashkiakun Armando Subashi kanë inspektuar punimet në terren për zgjerimin e lumit Gjanica dhe shëtitoren.

Ndërsa Rama ka shëtitur pashë më pashë një pjesë të mirë të Fierit, janë mbledhur banorë të shumtë, por një prej tyre, shumë i revoltuar i ka shprehur problemin e tij kryeministrit.

Gazetari Ervis Kuci ka siguruar për “BalkanWeb” videon ku qytetari duket teksa bërtet “A keni Perëndi, a s’keni” dhe më pas kryeministri i bën shenjë të afrohet. Banori flet nga afër për disa minuta me kryeministrin.

I pyetur nga gazetarët se për çfarë bisedoi me kryeministrin, Nexhip Këmbora tha se i është ankuar pasi duan t’i prishin shtëpinë që e ka pranë Gjanicës, për të cilën thotë se Hipoteka i ka zhdukur dokumentet.

“Kryeministri më tha ke dokumente mirë, s’ke do ta prish tha, ça tha. Ke vërtetim pronësie, asgjë tjetër. Kjo ishte përgjigjja e tij.

Unë kam një ndërtim poshtë tek lumit Gjanica, me leje por Hipoteka ka bërë pisllëqe, i ka heq dokumentet dhe më nxjerrin pa leje fare. Mirë që më priti njëherë se i kam dërguar 100 telegrame e s’më ka kthyer përgjigje”, tha qytetari.