Paralajmërimit nga Asambleja e PS se në pranverë nis “nxemja” për zgjedhjet e ardhshme lokale, kryesocialisti Edi Rama i ka paraprirë dhe me lëvizje brenda bashkisë më të madhe në vend.

Shefi i selisë rozë, nuk i ka kursyer në takimet me të tijtë, edhe kritikat për kryebashkiakun e Tiranës, ndaj të cilit kërkon më shumë angazhim. Për të forcuar bazën, Rama ka sjellë në njësinë numër 11-të Ulsi Manjën, që deri para pak ditësh kishte në patronazh Paskuqanin, që tani i kalon Rakip Sulit.

Me largimin e Olta Xhaçkës drejt Dibrës, si një kërkesë e pranuar edhe nga PDIU-ja, njësia 3 do të drejtohet nga Klotilda Ferhati, anëtare e Komisionit të Ligjeve. Lëvizja e radhës vjen si pasojë e përjashtimit të Saimir Tahirit nga radhët e grupit të PS, që la drejtimin e Tiranës bosh.

Aktualisht e komanduar është Blerina Gjylameti, së cilës iu desh të lërë bosh karrigen e drejtueses politike të njësisë numër 4. Në vend të saj është prezantuar këtë javë Sadri Abazi.

Konfigurimi i zonave të pambuluara të Bashkisë së Tiranës është bërë përmes takimeve të asambleve të zonave, ku burimet thonë për “BalkanWeb” se ka qenë i pranishëm edhe kryesocialisti Edi Rama.

Me skuadrën e re të Tiranës, por edhe në 60 bashkitë e tjera të vendit, socialistët do të kërkojnë minimalisht të ruajnë rezultatin e tre viteve më parë dhe maksimalisht ta kapërcejnë atë. Ndoshta mund të jetë edhe rastësi, që ditët e fundit kryeministri Edi Rama i ka kushtuar vëmendje të veçantë fshatit dhe zonave periferike, nga ku vota për vitin e ardhshëm, mund të bëjë diferencën. /BalkanWeb