Etilda Gjonaj kaloi mbrëmjen e së mërkurës një premirë. Ajo u përball për herë të parë në atë që mund të quhet si salloni i provës për çdo politikan që do të ngjisë shkallët e pandalshme të karrierrës. Në ‘Opinion-in’ e Blendi Fevziut, ku shumëkush është katapultuar, por të tjerë edhe janë gremisur, ajo u shfaq në ditën më të vështirë të jetës së saj të re në qeveri. Opozita sapo ka kërkuar një interpelancë urgjente me të. Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha këmbëngulin në arrestimin e saj të menjëhershëm. Shkak për këtë furi është bërë firma e saj mbi praktikën e ekstradimit të Nazer Seitit, i njohur si financier i Habilajve dhe i prezantuar nga kundërshtarët e qeverisë si i penduari që do të tregonte gjithçka për bëmat e ish ministrit Saimir Tahiri.
Imazhi i parë i Etilda Gjonajt
Duke vendosur të përballet në ‘Opinion’ me këto akuza, Etilda Gjonaj ka treguar dy fytyra. Nga njëra anë atë të një gruaje në karrierë, që ka arritur me këmbënguljen, punën, profesionalizmin e saj, të bëjë përpara në karrierë. Pa e ngritur kurrë zërin, duke fishuar pa ndërprerje një buzëqeshje të përmbajtur të cilës bardhësia e dhëmbëve vetëm sa i shtonte pafajësinë, duke u përpjekur të shitej e qetë, e sigurt dhe në njohuri të plotë të dosjeve që trajtonte, ajo rrezatonte background-in prej nga vinte. Një grua 37-vjeçare, dikur e lindur në Pukë, që ka mabruar gjimnazin ‘Qemal Stafa’ në Tiranë dhe ka ndjekur po në këtë qytet studimet e larta për Drejtësi. Karriera e saj ka gjithçka prej një njeriu të ndërtuar vetë. Kjo nënë e një djali të vogël, Itienit, që mban mbiemrin e bashkëshortit të saj, Irvelin Gjonaj, dikur punonjës tatimesh, në vitin 2011 ka kryer masterin për shkenca penale dhe që prej kohësh jep mësim në Universitetin e Tiranës. Ajo për gati 11 vjet (2003–2014) ka kontribuar si drejtuese programesh për programet e drejtësisë, reformave ligjore dhe institucionale, të zgjedhjeve dhe litigimit strategjik të çështjeve të të drejtave të njeriut, në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Pastaj pasi ka kryer një numër të madh kursesh e specializimesh jashtë, ajo kreu detyrën e komisioneres pranë avokatit të popullit. Me sa duket kjo qe edhe arsyeja që ajo u angazhua në grupet e punës për hartimin e reformës në drejtësi. Gjatë këtij procesi për shkak të afërsisë me mjediset e politikës dhe sidomos me Fatmir Xhafën rrjedha e karrierës së saj mori një kthesë të lumtur. Edi Rama e emëroi atë në maj 2017 si zv.ministre Drejtësie. Dhe me formimin e qeverisë ‘Rama 2’, pas fitores në zgjedhje ajo qe një nga surprizat e pakta. “Unë e mora vesh emërtimin tim, kur emrat u lexuan në TV gjatë asamblesë së socialistëve” u mjaftua të tregojë ajo. Në intervistat e pakta që ka dhënë, si ajo në emisionin ‘Dritare’ me Rudina Xhungën, ajo ka treguar se nuk është një grua bling-bling, që i pëlqejnë bizhutë e shtrenjta, veshjet me çmime strafosfrike dhe aksesorët apareshentë. “Ora ime nuk kushton më shumë se 150 euro” i tha ajo gazetares.
Imazhi i dytë i Etilda Gjonajt
Me këtë profil prej profesionisteje ajo u paraqit edhe në “Opinion” për të mbrojtur veten e saj nga e para vështirësi që po i qëndron mbi krye si shpata e Demokleut. Por pavarësisht fjalorit të zgjedhur, edukatës në komunikim, dhe aftësisë për të qëmtuar argumentin e duhur juridik ajo e pati të pamundur të mbrojë të pambrojtshmen: Si u shkel ligji dhe u lejua ekstradimi drejt Italisë i një njeriu që ndërkohë po hetohej në Shqipëri. Më kot ajo u mundua të thoshte se hetimi i tij nga prokurorët italianë ishte më i sigurt, më kot u mundua të hedhë dyshime mbi opozitën se ajo edhe s’i beson prokurorisë edhe thotë se Seitaj duhej të procedohej nga të njëjtët prokurorë.
Ajo nuk arriti t’i përgjigjet një pyetjeje bazë: Si mundet të avullojë në mënyrë të jashtëligjshme një njeri. Ajo mbeti pa fjalë kur kundërshtari i saj Enkelejd Alibeaj i bëri pyetjen e thjeshtë: Ju jeni Ministër që të mbroni interesat e Italisë apo të Shqipërisë?
Pikërisht ky hendek i thellë mes profilit të një gruaje me karrierë prej profesionisteje dhe aktit aspak të tillë që ajo ka kryer (edhe vetë kolegu i saj Fatmir Xhafa e vuri në pikëpyetje atë) është kontradikta e thellë e kësaj gruaje 37-vjeçare. Ndoshta ajo është detyruar t’i bindet urdhrit politik përpara sesa thirrjes së bindjeve dhe formimit të saj. Ndoshta ajo është shprehja e përkryer e tezës që prej kohësh mbron Edi Rama, se njerëzit në thelb nuk janë domosdoshmërisht të mirë apo të këqinj, por ata të tillë i bën sistemi. Edhe Etilda Gjionaj, me një angazhim të gjatë në shoqërinë civile dhe për të drejtat e njeriut, po bëhet me sa duket përditë e më shumë një produkt i sistemit të Rilindjes. Prandaj kundërshtarët sot kërkojnë arrestimin e saj sepse ndoshta me vullnet, apo ndoshta jo, ka firmosur një vendim të paligjshëm.
Marrë nga "Lapsi.al"





