Ministri i Jashtëm grek, Kotzias ka marrë një letër ku e kërcënonin me vdekje. Mediat greke raportojnë sot se denoncimi për letrën dhe kërcënimi me vdekje është bërë publik nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas, i cili e zbuloi këtë fakt teksa foli në ANT1.

Sipas tij, letra ishte anonime dhe në të ishte një mesazh i qartë. “Ne kemi tri plumba për ju”, thuhej ndër të tjera në letrën drejtuar Kotzias.

Letrën e kanë tashmë autoritetet dhe për këtë kanë nisur hetimet, për të zbuluar shkruesin dhe dërguesin.

Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve e përshkroi letrën si ‘të papranueshme’ dhe i bëri thirrje pjesës tjetër të forcave politike të dënojnë veprime të tilla, siç tha ai, ‘është në interes kombëtar të ketë një klimë më të mirë’.