Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Berisha është thirrur për të dëshmuar mbrëmjen e sotme në Prokurorinë e Tiranës, në cilësinë e personit që deklaron në rrethana të dobishme.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije për BalkanWeb se Shkëlzen Berisha është marrë në pyetje për rreth 30 minuta në lidhje me privatizimin e OSSH nga kompania CEZ.
Përpara prokurorëve, Shkëlzeni i ka qëndruar linjës së mendimeve të artikuluara edhe më herët në media, se nuk ka asnjë lidhje me atë histori të krijuar nga Rama për të mbuluar skandalet e tij
Më 25 janar, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Shkëlzen Berisha është thirrur nga Prokuroria për të dëshmuar për aferën me CEZ.
Pas Ballës ishte vetë Shkëlzen Berisha që reagoi nëpërmjet “Facebook”, duke e quajtur këtë gjë flluskë-thirrje të ‘kryeprokurorit të Surrelit”.
“Kryegjykatësi dhe kryeprokurori i ri i Shqipërisë, më dërgoi sot një flluskë-thirrje publike ‘në cilësinë e personit që deklaron në rrethana të dobishme’ në baze të kallëzimit të bërë po vetë nga ai, përmes parlamentit”, shkruan Shkëlzen Berisha më 25 janar.
SKANDALI CEZ
Kujtojmë se privatizimi i OSSH nga CEZ i kushtoi shtetit shqiptarë miliona uuro. Një komision parlamentar hetoi çështjen dhe ia dërgoi prokurorisë por kjo e fundit e mbylli ndërsa gjykata e Tiranës pak ditë më parë urdhëroi hapjen e çështjes përsëri duke i lënë detyra prokurorisë se kush duhet të merret në pyetje.
Lajmi për fletëthirrjen nga prokuroria vetë Shkëlzen Berisha e quajti të motivuar politikisht dhe tha se Edi Rama, kryegjykatesi dhe kryeprokurori i ri i Shqiperise, i dërgoi nje flluskë-thirrje publike. /BW





