Ish-kapiteni i Përgjithshëm i portit Durrës, specialist i detarisë dhe aktualisht dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale, ka komentuar e analizuar për DurrësLajm marrëveshjen detare të pritshme midis Shqipërisë e Greqisë.    

“Marrëveshja për detin është cënim i interesave kombëtare të Shqipërisë”,- thotë Osman Metalla, i cili analizon të gjitha deklaratat e bëra deri tani.

Deklarimi i Ministrit të Jashtëm grek se "kemi rënë dakort me palën shqiptare që ne të zgjerojme sovranitetin mbi detin territorial deri në 12 milje detare" është një deklaratë, e cila në vetvete përbën një këmbanë alarmi për çdo qytetar të këtij vendi.

Së pari, bazuar në këtë deklaratë, e cila thënë nga goja e ministrit të jashtëm të Greqisë nuk është më një thashethem por informacion zyrtar, e vë palën shqiptare në një disfavor të thelluar në zgjidhjen e ushtrimit të delimitimit të hapësirave detare.

Së dyti, ky deklarim cënon në mënyrë të drejpërdrejtë ekuilibrat gjeopolitikë në detin Egje, duke implikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe Shqipërinë. Në momentin e ratifikimit të konventës së Montego Bayt (UNCLOS-82), Greqia ka deklaruar se rezervon të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale deri në 12 milje në çdo kohë. Mënjëherë pas këtij deklarimi, Parlamenti Turk me datën 8 Qershor 1995 miraton një rezolute nëpërmjet së cilës autorizon qeverinë turke me të gjitha kopetencat e saj t’i deklarojë luftë Greqisë (casus belli). Deklarata e Ministrit të Jashtëm grek se pala shqiptare pranon që Greqia të zgjerojë detin e saj territorial deri në 12 milje implikon palën shqiptare në mosmarreveshjet që Greqia ka.

Së treti, delimitimi është një proces thellësisht teknik, dhe si i tillë, ai zgjidhet e diskutohet ndërmjet ekspertësh. Fakti që Ministri Kotzias, ngrihet sot dhe deklaron se kemi rënë dakort dhe pala shqiptare ka pranuar që Greqia të zgjerojë detin territorial pa asnjë ligj, si dhe në Prill do të kemi marrëveshjen, e bën këtë marrëveshje thellësisht të papranueshme, pasi kjo është një marrëveshje e zgjidhur politikisht, dhe jo e zgjidhur me ekipe ekspertësh. Edhe nese do të ketë ekipe negocimi, këto ekipe do të pranojnë çdo propozim të rënë dakort, duke cënuar në këtë mënyrë frymën e Konventës, si dhe duke shkelur dhe interesat tona kombëtare.

Pranimi nga ana e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë kushtin e palës greke për zgjerimin e detit territorial, përtej parashikimeve ligjore që vetë Greqia ka, përbën një koncesion të papreçedentë dhe një cënim të drejtpërdrejtë të interesave sovrane të Shqipërisë.

Çdo përpjekje për të zgjidhur të gjitha ato çështje të cilat për dekada kanë mbetur pezull ndërmjet dy vendeve është për t’u përshëndetur, por në asnjë rast nuk justifikon nxitimin qeverisë shqiptare për t’i zgjidhur sa më parë të jetë e mundur dhe me kosto për vendin tonë. Sa shpejt biem dakort për varrezat e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke, edhe përse nuk dihet sa është saktësisht numri i të vrarëve dhe të humburve, në një kohë kur çamët e dëbuar janë akoma gjallë, pronat e tyre janë akoma mbi tokë dhe pala greke në asnjë rast nuk pranon as ta prekë këtë çështje.

Nëse Qeveria Shqiptare dëshiron të fitojë mbështetjen e palës greke për hapjen e negociatave, kjo nuk mund të bëhet kurrë në kurriz të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve! 

K.H.