Anëtari demokrat i Këshillit Bashkiak Durrës, Shkëlqim Fortuzi ka vënë edhe njëherë në shënjestër të akuzave të tij kryebashkiakun Dako.

Pasi e fajësoi disa ditë më parë për ndotjen e përditshme të ajrit në Durrës nga djegia në qiell të hapur e mbeturinave urbane në Porto Romano, Fortuzi sot është ndalur tek ai që e quan “aktin shkatërrimtar më famëkeq në historinë e qytetit tonë 3 mijë vjeçare”.

Duke postuar në Facebook, dy foto të sheshit para Torrës Veneciane, si ishte para projektit “Veliera” dhe si duket tashmë kur punimet janë ndërprerë prej muajsh, Fortuzi akuzon Dakon “për shkatërrimin e perlës së Durrësit dhe kthimin e saj në gërmadhë”.

Statusi i plotë i Shkëlqim Fortuzit:

Përshëndetje miq!
Për shkatërrimin e perlës së qytetit tonë Durrësit dhe kthimin në gërmadhë, Dako harxhoi me "krenari" mbi 6 milion Euro, nga taksat tona, duke shënuar aktin shkatërrimtar më famëkeq në historinë e qytetit tonë 3 mijë vjeçare, duke sfiduar dy përmbytjet natyrore në shekuj, pushtimet otomane, fashiste, naziste dhe regjimin komunist…. Shpresoj që një ditë jo të largët, bashkëqytetarët e mi do ta kuptojnë se qyteti është i atyre dhe jo i kalimtarëve të rastësishëm zullumqarë..