Projekti “Veliera” është një çështje mjaft e ndjeshme për opinionin publik durrsak. Projekti që nisi të zbatohej në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit bregdetar u kundërshtua që kur ishte në letër, sidomos nga opozita në Këshillin Bashkiak, për shkak të vlerës së madhe monetare të tij, 6 milion euro.
Kur nisi zbatimi në terren, gërmimet në zonën arkeologjike A nxorrën në dritë disa zbulime arkeologjike dhe nga ky moment nisi angazhimi i shoqërisë civile për të bllokuar projektin, me qëllim ruajtjen e vlerave të nëntokës.
Çështja përfundoi në Gjykatën Administrative Durrës, e cila ende nuk ka dalë me një vendim për projektin, punimet e të cilit janë ndërprerë prej muajsh.
Por ata që i vuajnë pasojat e punimeve të mbetura përgjysëm janë qytetarët durrsakë, që u duhet të kalojnë përmes asaj që një gazetar i njohur në Durrës e cilësoi “varrezë e hapur”.
Dy javë më parë, DurrësLajm ftoi qytetarët durrsakë të bëheshin pjesë e një sondazhi për të shprehur opinionin e tyre nëse ishin dakort që punimet të rifillonin në sheshin “Veliera”.
Njëkohësisht DurrësLajm mblodhi opinionet e qytetarëve dhe figurave të njohura të qytetit përmes intervistave në terren, nëse sheshi “Veliera” duhet të rikthehet në gjendjen e mëparshme, apo duhet të rinisin punimet dhe të marrë formë projekti përfundimtar.

Rezultatet e sondazhit
Në sondazh morën pjesë 1127 votues, nga të cilët 644 (57%) votuan kundër rinisjes së punimeve, 449 (39%) votuan pro dhe 34 votues (3%) u shprehën asnjanës.
Edhe në intervistat në terren qytetarët ndajnë mendime të ndryshme, pasi një pjesë e madhe kërkojnë që të vijojë zbatimi i projektit pasi në gjendjen që është sheshi vështirëson së tepërmi lëvizjen e tyre, ndërsa të tjerë kërkojnë që e gjithë zona të rikthehet në gjendjen e mëparshme.
Vendimi i Gjykatës Administrative pritet të përcaktojë të ardhmen e projektit “Veliera”, por sido të jetë vendimi i gjyqësorit qytetarët e Durrësit kërkojnë që pas katrahurës së përditshme që shihet me sy të lirë nga kushdo që kalon përmes këtij sheshi, një zgjidhje në interesin e publikut të gjerë t’i japë fund kësaj “varreze të hapur” që shëmton një nga zonat më të bukura të qytetit bregdetar.
M.B.





