Prokuroria e Durrësit nis hetimet për prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët vendosën ekstradimin drejt Italisë të të pandehurit Nazer Seitaj, i njohur ndryshe si financieri i grupit të Habilajve, i akuzuar si prodhues dhe trafikant droge.

Në Shqipëri ky i pandehur mbrohet nga avokati Detar Hysi, i cili deklaron se ka bërë kallzim penal ndaj prokurorëve që vendosën ekstradimin e klientit të tij.

Në një reagim të tij të bërë publik, ai pretendon se nuk ka marrë asnjë njoftim për procedurat e ekstradimit të klientit të tij.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka tejkaluar kompetencat, duke caktuar masë sigurimi me indicie të mara nga përgjimet italiane, dhe jo me prova dhe fakte të ndodhura në shtetin tonë!”shkruan avokat Hysi.

Sipas tij, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka shpërdoruar detyrën, duke tejkaluar çdo kompetencë.
Nazer Seitaj u esktradua në Katania më 25 janar dhe ky fakt solli përplasje mes Ministrisë së Drejësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ministria e Drejtësisë deklaroi e para se kishte ndjekur të gjitha procesurat sipas ligjit dhe marrëveshjes për ekstradimin e shtetasve shqiptarë, ndërsa disa orë më vonë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka nisur hetimin për veprimet e palëve të përfshira në këtë vendimarrje.

Reagon Ministrja e Drejtësisë

Pas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme se procedurat për ekstradimin në Itali të Nazer Setiti, i cilësuar si financieri i grupit kriminal të drogës ‘Habilajve’ kanë qenë të paligjshme dhe akuzave të vazhdueshme të opozitës, ka reaguar ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Kjo e fundit përmes një mesazhi në faqen e saj të ‘Facebook’-ut theksoi se ekstradimi u krye në zbatim të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë italiane.

Ajo i kujton Prokurorisë së Krimeve të Rënda se mund të vijojnë hetimet duke bashkëpunuar me autoritetet italiane.

MESAZHI I GJONAJT:

Nezar Seitaj u ekstradua në Itali, në zbatim të vendimeve të gjykatave shqiptare dhe kërkesës për ekstradim nga Ministria e Drejtësise italiane, konform ligjeve dhe akteve ndërkombëtare. Ai sot është në duart e prokurorisë italiane. Por opozita vijon të konsumojë përditë energji për një alarm fals, duke e trajtuar rastin sikur i pandehuri u arratis apo u la i lirë dhe jo që iu dorezua pikërisht drejtësisë italiane.

Organet e akuzës shqiptare nuk i pengon asgjë, përkundrazi kanë të gjitha mjetet ligjore të parashikuara për të bashkëpunuar me ato italiane me qëllim për të marrë dhe për të përfituar çdo informacion që do t’ju nevojitet për efekt hetimi. Çdo veprim ndryshe nga ekstradimi do të përkthehej dhe nga shteti italian si mungesë vullneti për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar.

Jam e bindur se nëse nuk do të ishte ekstraduar, kjo opozitë kaq haptaz e trembur prej reformës në drejtësi, do të thoshte “nuk i’a dorëzuan antimafias italiane, po e mbajnë këtu për ta mbrojtur me duart e kapura të drejtësisë”… Kështu që në pamundësinë për të gjetur se cila do të ishte zgjidhja me e mirë për një opozitë që tenton të manipulojë edhe atëherë kur nuk ka, ne thjesht na mbetet të shpjegojmë me durim përmes fjalëve dhe tregojmë me këmbëngulje përmes veprave, se ligjshmëria është busulla e vetme që orienton vendimmarrjen tonë.