I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, Armand Duka ka folur për kandidaturën e tij për një mandat të pestë në krye të FSHF-së.
Duka tregoi hapur se ç’po bëjnë sipas tij anëtarët e Partisë Socialiste për të ndihmuar Bashkim Finon në këtë garë.
“Të gjithë do të dëshironim që ndërhyrja e politikës të ishte zero. Jemi përpjekur që ta shmngnim, por nuk kemi arritur ta zhdukim. Sot, në vitin 2018, që unë mendoja që do ishte më pak, është më shumë. Një eksponent i lartë i Partisë Socialiste është përfshirë në garë, ka politizuar garën. Kjo ka bërë që edhe anëtarët e Partisë Socialiste të bëjnë tifozllëk dhe të mundohen që sekretari i Partisë Socialiste të fitojë zgjedhjet për kreun e FSHF-së. Po kthehemi te sistemi i Enver Hoxhës, ku njëri i ka të gjitha në dorë. Përse është ndërhyrje e politikës? Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati shkon i bën presion Bashkisë së Shkodrës. Nuk e kuptoj se çfarë do kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako që shkon bën presion në klubin e Durrësit, apo më larg, nuk e di. Kryebashkiaku i Tiranës i bën presione votuesve të FSHF-së, apo deputeti i Sarandës në anën tjetër”, deklaroi Duka.





