Bashkia e Durrësit ka planifikuar 1 milion dollarë investim në buxhetin e vitit 2018, në kanalin e ujërave të larta për të shmangur përmbytjet në qytetin e Durrësit. Së bashku me investimin në pastrimin e kanalit të ujërave të larta të zonës kodrinore, pritet prishja e një sërë ndërtimesh që janë bërë shkak për bllokimin e kanalit, siç janë banesa, prita, etj. të ndërtuara nga banorët.

Kështu pohoi kreu i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i pyetur nga “DurrësLajm” në lidhje me përmbytjet që shkaktohen sa herë bie shi. 

“Nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri në Porto- Romano do të pastrojmë kanalin kryesor e puna sapo ka nisur nga ana e ndërmarrjeve të bashkisë. Do të vijojmë me prishjet ndërsa do të betonohen bankinat kryesore që e gjithë kodra ta derdhë ujin në këtë kanal”, sqaron kryebashkiaku.

Dako foli edhe për disa investime të tjera të cilat sipas tij, do të përmirësojnë shumë situatën që krijohet nga përmbytjet në rrugë.

Disa ditë më parë mjaftuan vetëm pak minuta shi që Durrësi të zhytej nën ujë për më shumë se 30 minuta. Rrugët u bënë të pakalueshme sepse uji që zbriti me furi nga kodrat drejt rrugëve të Durrësit nxori jashtë funksioni rrjetin e kanalizmieve që është i viteve 1970, atëherë kur popullsia e Durrësit ishte 70 mijë banorë.

K.H.