Qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike nga të gjitha rrethet janë nisur që herët në mëngjes drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e opozitës në orën 12:00.
Në autobusë e makina private, disa prej protestuesve kanë vendosur targën simbol AA 003 GB të ish-“AUDI”-t të famshëm të Saimir Tahirit, me mbishkrimet: “të paprekshëm” dhe “narkoshteti”.
Kjo targë ka qenë e makinës “Audi A8” me targa AA 003 GB që përdorte në vitin 2013 ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Sipas përgjimeve të AntiMafias italiane, ky automjet rezulton që përdorej edhe nga kushërinjtë Habilaj të ish-ministrit Saimir Tahiri, për të shmangur kontrollet në doganë.
PD akuzon se makina e Tahirit përdorej nga banda e Habiljave për lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të kanabisit që në nëntor 2013, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet, deri në tetor 2017, kur Antimafia italiane goditi bandën.





