Diskutimit shumë të ndezur për çështjen "Veliera" dhe pezullimin e punimeve nuk i ka shpëtuar as Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Nga Durrësi, ku ishte sot e pranishme në ambientet e UAMD-së për një leksion të hapur, ajo ka thënë se i kemi kërkuar bashkisë ndryshimin e projektit për të ruajtur muret që janë zbuluar gjatë punimeve.
Kumbaro ishte sot pranë studentëve të UAMD-së për t'i njohur me projektligjin e ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, i cili mbështetet në katër shtylla kryesore. Ato janë vlerësimi, ruajtja, administrimi dhe mbrojtja e trashëgimisë.
Projektligji
Ministrja Kumbaro ka zgjedhur universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për nisjen e turit shpjegues për projektligjin e ri.
Kumbaro ka deklaruar se ligji ekzistues është miratuar që në vitin 2003 dhe nuk i përshtatet kohës. Ajo ka theksuar se Ministria e Kulturës do të jetë aktori kryesor në zbatimin e projektligjit të ri, së bashku me qeverisjen vendore dhe institucione të tjera.
Projektligji i ri për trashëgiminë kulturore dhe muzetë përbëhet nga 280 nene dhe në një fare mënyre mund të cilësohet si një kod për shkak të shtrirjes dhe përfshirjes me detaje të gjithçkaje që ka të bëjë me administrimin dhe ruajtjen e trashegimise kulturore. Në hartimin e ligjit te ri kanë punuar Këshilli Kombëtar i Arkelogjisë dhe ai i Restaurimeve.
Kumbaro ka shtuar se për 25 vite me radhë nuk ka pasur një inventar të monumenteve të kulturës, ndërsa duke iu referuar godinës së kampusit të UAMD-së në Spitallë shtoi se askush nuk e di nëse aty janë bërë kontrollet teknike të nëntokës.
K.H.





