Ka ndërruar jetë i moshuari nga Shijaku që u dogj në banesën e tij 4 ditë më parë.

Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se Hyqmet Shaqja ka vdekur dje më 25 janar në spitalin “Nënë Tereza”, ku ndodhej i shtruar nën kujdesin e mjekëve që prej ditës që ndodhi tragjedia.

Ngjarja e rëndë ndodhi orët e para të mëngjesit të së hënës më 22 janar, kur në banesën ku viktima jetonte me të birin në Shijak të Durrësit u dogj tërësisht si pasojë e një qiriri.

Familja Shaqja gjendej në errësirë të plotë për shkak se nuk paguanin dot faturat e energjisë elektrike. Fqinjët dhe familjarët thanë për “DurrësLajm” se i moshuari bashkë me të birin jetonin prej disa vitesh nën dritën e qiriut, pasi rezultojnë debitorë ndaj OSHEE-së dhe nuk kishin mundësi të paguanin faturat e energjisë.

Ndërkohë, një tjetër vdekje raportohet nga policia për një tjetër të moshuar në Durrës. Shtetasi M.S., vjeç 75, i cili aksidentalisht ishte rrëzuar nga shkallët e banesës të mërkurën, ka ndërruar jetë në spitalin e traumës Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.