Pas aksionit të paralajmëruar, që do të nisë në 1 shkurt për formalizimin e rrjetit dhe ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme, është zyrtarizuar edhe skema lehtësuese për familjet në nevojë.

Përmes një vendimi, botuar dje në Fletoren Zyrtare, qeveria ka marrë përsipër subvencionimin e lidhjes së kontratave dhe të vendosjes së matësve të ujit jo vetëm për ata të moshuar që janë me vendbanim në qytet, por edhe disa kategori të tjera sociale.

Në këtë mënyrë, përfitojnë familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar dhe që nuk kanë anëtarë të punësuar ose të vetëpunësuar, si edhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Po ashtu, të përjashtuar nga tarifat janë edhe familjet të cilat kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të punësuar ose të vetëpunësuar. Këto familje mund t’i lidhin kontratat e ujit falas. Pa pagesë do të ofrohen edhe matësit, të cilët kanë një kosto rreth 2400 lekë të reja.

DEKLARIMI: Vendimi i Qeverisë përcakton se ata që nuk disponojnë një kontratë me Ujësjellësin duhet të paraqiten pranë drejtorisë së Ujësjellësit, në mënyrë që të bëjnë deklarimin përkatës. “Kategoritë e përcaktuara deklarojnë pranë UjësjellësKanalizimeve se nuk disponojnë një kontratë të lidhur ose nuk janë të pajisur me matës në banesë dhe kërkojnë të pajisen me to. Ujësjellës-Kanalizime kryen verifikimet përkatëse me listën që disponon të abonentëve ekzistues.

Subvencionimi i Ujësjellës-Kanalizimeve të mbulohet nga bashkia përkatëse, në përputhje me dokumentacionin që vërteton kontratën e lidhur dhe matësit e vendosur”, thuhet në vendim. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2018.

AKSIONI: Ditët e fundit të këtij muaji do të shërbejnë për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm, si dhe lidhjen e kontratave të reja për ata që ende nuk e kanë një të tillë. Ndërkohë, nga data 1 shkurt, do të nisë edhe operacioni për lidhjet e paligjshme. Kështu, të gjitha ato familje, biznese apo edhe institucione shtetërore që do të konstatohen me lidhje të paligjshme, do të përballen me penalitete. Synimi i kësaj fushate, e cila do të shtrihet në të gjithë vendin, është që për një kohë të shkurtër, 90% e konsumatorëve të pajisen me matës uji, të cilët bëjnë një faturim të drejtë./Panorama