Prej pak ditësh në krye të Policisë së Shtetit është komanduar zv.drejtori i Përgjithshëm, Rebani Jaupi, i cili ka zëvendësuar provizorisht Haki Çakon, i cili u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave.

Por për emërimin përfundimtar si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, sipas ligjit për Policinë, duhen plotësuar 3 kritere kryesore.

Jaupi nuk është emri i vetëm mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, që plotëson kriteret për të qenë në krye të Policisë së Shtetit. Mes emrave më të përfolur, janë edhe 6 drejtues të tjerë Policie, ndonëse vetëm 3 plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligjin e Policisë së Shtetit.

Një prej tyre është Agron Sojati, me një karrierë të gjatë si drejtues në sektorë të rëndësishme në Policisë, aktualisht këshilltar për sigurinë në Kryeministri. Posti më i rëndësishëm që Sojati ka mbajtur së fundmi në Polici, ka qenë ai i drejtorit të Antiterrorit dhe si i tillë ai ka marrë pjesë në konferenca mjaft të rëndësishme rajonale e më gjerë, për luftën kundër terrorizmit.

Po kaq i favorizuar, për të qenë kreu i Policisë së Shtetit, për shkak të karrierës dhe eksperiencës, është edhe drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema.

Gjithashtu edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gjovalin Loka, është një prej emrave të lakuar që plotëson kushtet për të qenë drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, kandidatë për këtë post, janë edhe 3 emra të tjerë. Drejtori i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Eduart Merkaj, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu e po ashtu dhe drejtoresha e Përgjithshme e Kufirit dhe Migracionit Aida Hajnaj.

Ndonëse kriteret plotësohen nga 4 të parët, edhe emrat e Merkajt, Veliut e Hajnajt, janë lakuar ditët e fundit si drejtues të mundshëm të Policisë së Shtetit.