Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar deputetët e Partisë Socialiste se protesta e opozitës e 27 janarit do të ‘rrëzojë’ qeverinë.

Berisha pyeti deputetët socialistë se ku do të futen më 27 janar, pasi sipas tij, ata kanë ikur që sot. Ish-kryeministri e tha këtë, teksa u nis nga fakti që në sallë ishin shumë pak të pranishëm, ku shtoi se kanë mbetur një thelë.

“Tani siç e shihni, keni ngel një thelë këtu, të gjithë ministrat, të turpëruar nga vetja e tyre, të tmerruar nga superprotesta që po afron, largohen nga parlamenti dhe lënë këtu ikonën e nxirë të megaferave më të mëdha në historinë e vendit, binjakun e Gjiknurit, Arben Ahmetaj. Ikën deputetët, nuk janë këtu as një e pesta e deputetëve…e thotë Viktor Hygoi diku “nuk njihej më as shef as flamurtar.” Kështu jeni bërë, çdo të bëni ju ditën e protestës, kur dy ditë para protestës ia keni mbathur, ku do të futeni ju ditën e protestës?”, tha Berisha.