Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Artjan Qirici dhe Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski kanë nënshkruar sot paradite një Marrëveshje Bashkëpuimi mes dy Institucioneve me qëllim dizenjimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta.
Në një ceremoni që u zhvillua në Qendrën e Trajnimeve të APD dhe ku bashkë me autoritetet vendore morrën pjesë edhe një grup i madh studentësh të të degës Navigacion në fakultetin e Studimeve Profesionale, drejtori Qirici tha se bashkëpunimi synon krijimin e lehtësirave për kryerjen e praktikave dhe proçeseve mësimore në mjediset, terminalet dhe kalatat e portit të Durrësit.
Sipas z. Qirici mes palëve do të punohet për aktivitete dhe publikime të përbashkëta në fushën e menaxhimit portual; në mbrojtjen e mjedisit detar; në sistemet e monitorimit dhe kontrollit të operacioneve dhe trafikut detar; në ofrimin e ekspertizës në kurrikulën e lëndëve profesionale navigacionale si dhe në bashkëpunimin akademik për rritjen e standarteve të trajnimit të punonjësve.
Takimin që e drejtoi dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale në UAMD, prof.as.dr, Osman Metalla, e përshëndetën edhe prefekti i qarkut, Roland Nasto, rektorja prof. dr. Sotirofski dhe drejtori i Regjistrit Detar, Emiljan Jani.
Më pas drejtori Ekzekutiv i APD, ing. Artjan Qirici, në cilësinë e pedagogut të jashtëm, zhvilloi një leksion me studentët e degës së Navigacionit në UAMD.





