I ftuar në emisionin “Opinion”, gazetari i kronikës Artan Hoxha hodhi dritë mbi një plagosje në Durrës, më 7 shkurt 2010, që sipas tij ka lidhje me çështjen Armo.
Sipas Hoxhës, në atë datë, në një lokal në Durrës u plagos një shtetas nga Azerbajxhani. Së bashku me të mbetën edhe dy shtetas të tjerë të plagosur.
"Të plagosurit azer i është fshehur identiteti. Ai ka qenë nën mbrojtjen e policisë, në momentin kur u plagos, por nuk u hodh dritë mbi identitetin e tij dhe shkakun e plagosjes. Ai ishte një përfaqësues nga pjesa azere e kompanisë Ambra, që kontrollonte Armo-n”, tha Hoxha.
Po sipas gazetarit, shtetasi azer u dërgua në spitalin ushtarak dhe ndaj tij u tregua një kujdes i veçantë, ndërkohë që çështja ndaj tij u mundua të mbyllej sa më shpejt.
"Ai ka thënë se kishte ardhur në Tiranë se i kishin borxh 130 milionë dollarë që ishin investuar në kompaninë Armo nga pala azere. Historia u tentua të mbyllej shumë shpejt, nuk u dha informacion. I plagosuri ishte një njeri i afërt i presidentit azer Aliyej. 75 milion euro janë dhënë kredi nga banka shtetërore e Azerbajxhanit në formë kredie dhe janë investuar tek Armo”,- deklaroi Hoxha.
Sipas tij, personi që kreu plagosjen e porositur, e cila kishte për qëllim të frikësonte shtetasin azer, nuk u arrestua, megjithëse policia e dinte identitetin e tij, pasi ishte me precedent penalë.
“Ky shtetas u arrestua në 2012, në qendër të bllokut. Ky person u lirua brenda 48 orësh kundrejt një garancie 20 mijë euro”,- vijoi më tej Hoxha.





