Nga selia e PD-së, deputeti dhe kreu i Departamentit të Sigurisë në këtë parti, Enkelejd Alibeaj ka ngritur alarmin se një kriminel është ende në gjendje të lirë.

 Duke iu referuar personit me emër Durim Keçi, Alibeaj risjell edhe një herë në vëmendje denoncimet e bëra nga selia blu në lidhje me këtë person dhe ekzistencën sipas demokratëve të tabulateve telefonike që personi në fjalë ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama.

Durim Keçi, një nga peshqit e krimit, mik i Edi Ramës dhe Blendi Klosit, është liruar nga burgu. Me shumë gjasë, ai nuk do të ekstradohet në Itali, ku është dënuar për trafik drogë dhe prostitucioni. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e paralajmëroi që në tetor se Durim Keçi do t’i shpëtonte drejtësisë, sepse kishte mik kryeministrin Edi Rama dhe i ka shërbyer atij në çdo palë zgjedhje. Në tetor, Lulzim Basha bëri të njohur ekzistencën e tabulateve telefonike të Edi Ramës me Durim Keçin, të cilit i garantoi mosekstradimin. Dhe kështu ndodhi. Reforma në drejtësi u përdor për të çliruar nga drejtësia kriminelët si Keçi dhe të tjerë të fuqishëm, që kërkohen për ekstradim në Itali”, tha Alibeaj.

Ndër të tjera, deputeti i PD-së, deklaroi se ‘lirimi i Durim Keçit është edhe efekt i presionit të Edi Ramës ndaj drejtësisë dhe kontrollit politik nëpërmjet kryeprokurorit antikushtetues”.

“Që kur Edi Rama emëroi Prokurorin e Përgjithshëm pa vetting dhe në kundërshtim me kushtetutën: Saimir Tahirit iu kthye pasaporta dhe ai mund të lëvizë I lirë kudo ku ka fshehur paratë e fituara nga trafiku I drogës; Orest Sota u lirua nga burgu,megjithëse u kap në mashtrim për burimin e 863 mijë eurove dhe përdorimin e  tyre; Trafikantëve të kokainës së Xibrakës iu ul dënimi dhe prokuroria nuk e ankimoi vendimin; Balilajve iu rikthye nga Gjykata leja për policinë private, që do të thotë një ushtri e armatosur me njerëz në mbrojtje të Kelment Balilit. Bashkë me lirimin e kriminelit Durim Keçi, këto janë prova konkrete se Edi Rama e ka blerë pushtetin nëpërmjet krimit  dhe po e mban nëpërmjet kapjes së drejtësisë”, tha demokrati.

Për të gjitha këto arsye ai u kërkoi shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e 27 janarit dhe për të larguar kështu nga pushteti qeverinë e Edi Ramës.

“Ne kemi detyrën historike të mos lejojmë diktaturën e krimit! Prandaj ftojmë çdo shqiptar të bashkohet me opozitën në 27 Janar në sheshin e protestës për t’i thënë Edi Ramës se ne jemi njerëz të lirë dhe nuk e pranojme zgjedhën e krimit!”, tha ai duke denoncuar edhe një herë fotot e Durim Keçit bashkë me ministrin Blendi Klosi, apo ato në selinë e degës së PS Durrës.