Kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako për herë të parë ka folur për investimin e kryer disa vite më parë me iniciativë të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Në Kodër Vilë u investuan rreth 2.3 milionë euro për rehabilitimin e kodrës me mbjelljen e pemëve dhe vendosjen e rrjetave të telit, si dhe ndërtimin e një shëtitoreje e cila përshkonte të gjithë këtë zonë.
Por ky investim nuk ishte jetë gjatë, pasi pa mbushur një vit, rrëshqitjet e dherave e prishën të gjithë strukturën e tarracimeve dhe të disiplinimit të ujrave, rrëshqitjet e dherave dëmtuan në mënyrë të pariparueshme shtratin e shëtitores por edhe muret mbajtëse dhe gjithçka tjetër.
Kreu i bashkisë së Durrësit para gazetarëve tha se bashkia nuk do të financojë rehabilitimin e Kodrës por vetëm do ta mirëmbajë atë. "Kodra ka një sipërfaqe prej mijëra metrash katrorë dhe nga studimi i fizibilitetit rezulton se duhen 30 euro për metër katrorë për rehabilitimin e saj. Vlera e rehabilitimit është shumë e madhe e nuk ja vlen të investojmë për Kodër Vilën e cila ka terren të rrëshqitshëm," tha Dako.
"Bashkia e Durrësit nuk ka parashikuar asnjë investim për kodrën e Currilave për vitin 2018 sepse është i kushtueshëm. Investimi i kryer pak vite më parë ishte vetëm një zgjidhje për momentin. Rehabilitimi i kodrës së Currilave është shumë i kushtueshëm," e mbylli fjalën e tij Dako.
Dako dhe Koka për një kohë të gjatë ndërmjet tyre patën një “luftë” jo të heshtur që duket se është mbyllur pas zgjedhjeve të 2017.
K.H.





