Zbulon të tjera detaje nga arrestimi i taksistit, që merrej me shpërndarje kokaine në Tiranë. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se policia kishte mbajtur në përgjim Klaudian Sinën për rreth 6 muaj.

Mësohet se taksisti kishte ndërtuar një rrjet me klientë të cilët kur iu nevojitej kokainë e telefononin dhe i kërkonin shërbim taksi duke nënkuptuar se kërkonin kokainë.

Klientët ishin kryesisht biznesmenë dhe të rinj që frekuentojnë jetën e natës. Në disa raste taksisti e ka çuar kokainën edhe në lokalet e natës në periferi.

"Më duhet një taksi", ky ka qenë kodi që përdornin klientët biznesmenë ndaj taksistit. Po ashtu, bëhet e ditur se kokainën taksisti e shiste një dozë nga 70-100 euro, ndërkohë 38-vjeçari pohonte se drogën e siguronte në Holandë dhe se ishte e pastër.