Java e Gjergj Kastriot Skënderbeut ka kulmuar këtë 17 janar, që përkon me 550-vjetorin e vdekjes të heroit kombëtar, me mbajtjen e një sesioni shkencor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Temë e këtij sesioni ishte “Skënderbeu dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve”, nën moderimin e Dr. Xhafer Rakipllarit.

Akademikët kanë sjellë para kolegëve dhe studentëve punimet shkencore të tyre.

Referimet e pedagogëve:

  • Dr. Manjola Xhaferri referoi mbi 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastrioti Skëndërbeut përballë të shkuarës dhe së tashmes
  • Prof. Dr. Lekë Sokoli referoi “Historiografia skënderbejane në një shqyrtim metodologjik: Barleti – Noli – K. Frashëri”
  • Prof. As. Dr Enver Bytyçi: Diplomacia e Skënderbeut
  • Dr. Robert Kosova: Skënderbeu si produkt i Principatave Arbërore. 

Më herët, në kuadër të Javës së Skënderbeut, u promovua në UAMD vepra “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i Fundit” e studiuesit Virgjil Kule. Autori shpalosi përkushtimin dhe sinqeritetin e madh me të cilin e ka shkruar këtë libër, me qëllimin e vetëm pasqyrimin sa më të plotë të të gjitha dokumentave që flasin për heroin tonë kombëtar. 

Në bashkëbisedim me studentët, autori diskutoi mbi Skënderbeun si burrë shteti, diplomat, strateg e mjeshtër i artit ushtarak, si dhe i inkurajoi ata të hulumtojnë në vazhdimësi për të, por edhe personalitetet, ngjarjet apo të vërtetat historike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

K.H.