Nga Mila Ballhysa
Vetëm në mesin e muajit janar, të gjitha drejtoritë rajonale dhe lokale në Durrës njohën përfundimisht drejtuesit e tyre. Kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga zgjedhjet e 26 qershorit dhe më shumë se 100 ditë nga krijimi i kabinetit Rama 2, ende në disa drejtori në Durrës ka krerë të komanduar.
4 ditë më parë u bënë publik emrat e 24 drejtorëve të rinj të burgjeve në shkallë vendi, ku Qazim Hoxha u emërua në Institucionin e vuajtjes së dënimit në Durrës.
Ndërkohë, drejtori i komanduar i AKU Durrës Sefer Sefa, kur nuk i kishte mbushur ende 100 ditë në këtë post u shkarkua dhe në vend të tij u vendos një tjetër e komanduar, Anila Kapedani.
Me drejtoreshë të komanduar mbetet edhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku qëndron prej disa muajsh tashmë Edlira Nova Çollaku.
Në listën e krerëve të drejtorive kryesore në Durrës, që DurrësLajm e paraqit pak më poshtë, bie në sy emri i Alfred Dhulit, kreu i Ndërmarrjes së Komunales së Plazhit, si drejtuesi më jetëgjatë në post. Prej shumë vitesh ai drejton këtë ndërmarrje që ka nën përgjegjësinë direkte pastrimin e vijës bregdetare të plazhit të Durrësit.
Ndërkohë provën e mandatit të parë 4-vjeçar e kanë kaluar disa prej drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme si drejtoresha e DAR Durrës, Lindita Muka; drejtoresha e Tatimeve Valbona Sako; drejtori i Shëndetit Publik Kristo Huta; drejtori i Ujësjellësit Spartak Kovaçi apo drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore Miranda Koka.
Një tjetër fakt që bie në sy është se përfaqësues të njohur të PS së Durrësit si Alban Ramohitaj, Ani Dyrmishi, Roni Shoqa etj janë vendosur sërish në poste drejtuese, pasi e kanë mbajtur një të tillë edhe në mandatin e parë të bashkëqeverisjes PS-LSI.
Ramohitaj u rikthye në postin e drejtorit të spitalit, pasi rezultoi kandidati fitues në konkursin e zhvilluar me këtë rast. Ramohitaj e drejtonte spitalin rajonal deri pak kohë para zgjedhjeve të 26 qershorit. Përfshirja e tij në listën e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun e Durrësit e shtyu Ramohitajn të jepte dorëheqjen. Pas mbetjes jashtë listës fituese të deputetëve që PS e qarkut Durrës çoi në Kuvend, Ramohitaj u përfshi në konkursin e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë për zgjedhjen e krerëve të spitaleve rajonale dhe u rendit i pari mes 4 kandidatëve në garë.
Ndërkohë Dyrmishi dhe Shqopa, pasi kanë mbajtur gjatë qeverisë Rama 1 respektivisht postin e drejtorit të Hipotekës dhe Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Plepa, janë emëruar në postet e drejtorit të Hekurudhës dhe drejtorit të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Edhe instituicionet e varura nga bashkia e Durrësit kanë pësuar ndryshime. Kështu ish-drejtori i Policisë Bashkiake Adriatik Velaj tashmë është caktuar në krye të zjarrfikësve të Durrësit, ndërsa Sokol Sula mban postin e drejtorit të ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit, ndërrmarje që për shumë vite me rradhë është drejtuar nga kreu aktual i PS Durrës, Luan Zaza.
Një drejtori në portin e Durrësit ka marrë Paulin Ndreu, i cili ka zënë vendin e Gazmir Tahirit të LSI-së, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
Ndryshime nuk kanë ndodhur në drejtoritë e kulturës. Ledion Lako, drejtori rajonal i Kulturës Kombëtare dhe Alketa Tragaj, drejtoreshë e Muzeut Etnografik janë konfirmuar sërish në postet që kanë mbajtur gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama.
Drejtoritë që në mandatin e parë drejtoheshin nga të zgjedhurit e LSI-së janë zëvendësuar të gjithë me figura të PS-së durrsake apo me prurje të reja të Rilindjes. Vlen të përmendet këtu emërimi i Arben Isakut në vend të Flamur Gjuzit në krye të ALUIZNI-t, Ani Dyrmishi në vend të Ilir Dashit tek Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhës apo Roni Shqopa në vend të Daut Naços tek drejtoria e Patentave.
Ndërsa shumë prej drejtorëve janë të sprovuar tashmë në detyrë, disa të tjerë kanë përpara sfida të rëndësishme për të konfirmuar veten e tyre në post si dhe për të arritur objektivat dhe përmbushur prioritetet e vendosura.
Lista e plotë me emrat e drejtorëve:

Alban Ramohitaj – Drejtor i Spitalit

Valbona Sako – Drejtore e Tatimeve

Kristo Huta – Drejtori i Shëndetit Publik

Edlira Nova – Drejtore e Hipotekës

Arben Isaku – Drejtor i ALUIZNI-t

Lindita Muka – Drejtore e DAR

Natasha Paço – Drejtore e DRSKSH

Ani Dyrmishi – Drejtor i Hekurudhës

Plator Mehmeti – Drejtor i OSHEE

Spartak Kovaçi – Drejtor i Ujësjellës-Kanalizime

Miranda Koka – Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore

Sokol Sula – Drejtor i Pastrim-Gjelbërimit

Artjan Qirici – Drejtor i Portit

Indrit Buka – Drejtor i Zyrës së Punës

Alfred Çepe – Drejtor i Policisë

Lindita Nushi – Drejtore e Kufirit

Roni Shqopa – Drejtor i Patentave

Alfred Dhuli – Drejtor i Komunales Plazh

Ledion Lako – Drejtor i DRKK

Adriatik Velaj – Drejtor i Zjarrfikëses

Paulin Ndreu – Drejtoria e Përgjithshme Detare

Vasip Çopa – Drejtor i Policisë Bashkiake
Alketa Tragaj – Drejtore e Muzeut Etnografik
Agron Lamaj – Drejtor i Doganës
Enver Maloku – Drejtor i Bujqësisë dhe Pyjeve
Anila Kapedani – Drejtore e AKU (e sapo komanduar)
Qazim Hoxha – Drejtor i Burgut (i sapo emëruar)





