Dy persona nga Shijaku janë arrestuar në flagrancë nga policia, pasi po udhëtonin me një “Benz” ku kishin me vete dhe një pistoletë.
Në pranga ranë:
• Astrit (Avdyli) Balliu 43 vjeç, banues në Shijak;
• Donald Çullhaj 23 vjeç, banues në Shijak.
Ata u kapën mbrëmjen e djeshme në Xhafzotaj, Shijak, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë në automjetin tip "Benz" me drejtues shtetasin Donald Çullhaj, në një çantë "Marsup" është gjetur një armë zjarri pa leje.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• një armë zjarri pistoletë e kalibrit 9 mm me mbishkrimin “STERM9x19;
• një krëhër me 12 fishekë të kalibrit 9 mm, me një fishekë në fole;
• automjeti tip Benz.
Arrestimi i tyre u bë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vijim të zbatimit të planit të masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave me armë pa leje, me qëllim rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake" parashikuar nga neni 278/ 2 të Kodit Penal.





