Kryesia e Partisë Socialiste ka bërë disa ndryshime të drejtuesve politikë të saj në qarqe. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, do të drejtojë qarkun e Dibrës, i cili në zgjedhjet parlamentare të 2017-s, u drejtua nga Ilir Beqja.

Ish-ministri i Shëndetësisë do të drejtojë qarkun e Kukësit, qark, të cilin e drejtoi deri pak muaj para zgjedhjeve të 25 qershorit për t’ia lënë më pas ish-ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shkruan “Panorama”.

Por në qarkun e Kukësit është bërë një riorganizim i ri, Bashkia Kukës do të drejtohet nga Safet Gjici, president i Klubit sportiv “Kukësi” dhe ish-kandidat për kryetar bashkie në Kamzë. Vendin e Saimir Tahirit, si drejtues politik i qarkut të Tiranës, e ka zënë Blerina Gjylameti, e cila aktualisht është dhe kryetare e Degës Socialiste të Tiranës.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, u shpreh i pakënaqur nga puna e drejtuesve politikë të qarqeve, veçanërisht për procesin e zgjedhjeve në parti. Ai u kërkoi ministrave të zgjedhin mes drejtuesit politik të qarkut dhe postit të ministrit, nëse nuk i mbajnë dot të dyja detyrat.

Ai premtoi për një analizë të plotë të punës së drejtuesve politikë të PS-së në qarqe. “Në Axhendën Vjetore Organizative të Partisë është përcaktuar qartë se korrektimi i segmenteve të procesit zgjedhor dhe kritereve që nuk janë respektuar, duhet të realizohet brenda muajit shkurt 2018”, tha Balla.

DREJTUESIT E PS-së NË QARQE

Qarku Tiranë Blerina Gjylameti

Qarku Kukës Ilir Beqja

Qarku Shkodër Ditmir Bushati

Qarku Dibër Olta Xhaçka

Qarku Lezhë Lindita Nikolla

Qarku Durrës Vangjush Dako

Qarku Fier Gramoz Ruçi

Qarku Elbasan Taulant Balla

Qarku Korçë Niko Peleshi

Qarku Berat Blendi Klosi

Qarku Vlorë Damian Gjiknuri

Qarku Gjirokastër Bledi Çuçi

PANORAMA