Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako në një komunikim me gazetarët paraditen e kësaj të enjteje, ka folur rreth prioriteteve dhe investimeve të Bashkisë së Durrësit për këtë vit si dhe iu është përgjigjur pyetjeve për tema nga më të ndryshmet që lidhen me punën e Bashkisë për qytetin.

Dako deklaroi se objektivi i këtij viti është shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve të Durrësit. Po kështu ai ka deklaruar se këtë vit është caktuar buxheti më i madh ndonjëherë për kopshtet dhe shkollat, pasi rreth 20 % e buxhetit të Bashkisë do të përdoret për kopshte dhe shkolla të reja si dhe mirëmbajtja dhe rikonstruksioni i atyre ekzistuese.

Dako deklaroi po ashtu se investimet e Bashkisë së Durrësit nuk bëhen vetëm në qendër të qytetit, por janë të shtrira në të gjitha zonat e Bashkisë së Durrësit, në Ishëm, Manzë, Rrashbull, Katund i Ri dhe Sukth, për të plotësuar sipas tij, sa më shumë nevojat e qytetarëve në çdo zonë ku ata ndodhen.

Një nga investimet e rëndësishme që vijon këtë vit është ai i sistemimit të kanalizimeve të ujërave të zeza i cili është një projekt i Bankës Botërore. Pas zonës së plazhit, projekti shtrihet edhe në bregdetin në lagjen nr. 1 të qytetit në zonën e Currilave, projekt me vlerë 5 milionë euro dhe në përfundim të tij nuk do të ketë më ujëra të zeza as në këtë pjesë të bregdetit.

Po kështu, Dako deklaroi se gjatë këtij viti do të investohet edhe në sistemimin e kanaleve të ujërave të larta gjë që do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në situatën e përmbytjeve, ku rreth 1 milion dollarë do të investohen në rehabilitimin e kanalit kryesor të ujërave të larta që përshkon qytetin dhe arrin deri në Portoromano.

Në investimet e shumta të këtij viti kryebashkiaku foli edhe rreth investimit madhor sheshi “Drejtësia” pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, po kështu gjatë këtij viti do të realizohen investime të ndryshme në infrastrukturë në të gjitha zonat e Durrësit, rikontruksioni i pallatit të sportit “Ramazan Njala”, sistemi i ngrohjes në teatrin “Aleksandër Moisiu” si dhe shumë investime të tjera me qëllimin sipas kryebashkiakut Dako për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve durrsakë.