Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi shqiptarët që t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur me votë të lirë ndarjen e qeverisë nga krimi. Në takimin që zhvilloi me demokratët e Durrësit, Basha tha se bashkimi është rruga e vetme për t’i dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë nga aleanca e Edi Ramës me krimin.
“Bashkohemi në një aksion të madh opozitar që nis me protestën e 27 janarit, por që do të vazhdojë me dinamikë në çdo dimension. Për një arsye të thjeshtë. Edi Rama e ka humbur të drejtën të qeverisë. Kush i shërben krimit, nuk i shërben dot të varfërve. Kush i shërben trafikantëve, nuk i shërben dot fëmijëve të shqiptarëve. Nuk bëhen dot të dyja. O njëra, o tjetra. Nuk ka vend për të qëndruar në mes”, tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegoi sesi vota e blerë nga një kryeministër që bashkëqeveris me krimin, ndikon tek çdo familje. Kreu i opozitës ripërsëriti akuzat ndaj kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, sipas të cilit, është kapur duke u kërkuar kriminelëve blerjen e votave në shpërblim të tenderëve. Basha shtoi se Dako është modeli i aleancës së Edi Ramës me krimin dhe se së bashku me Ardian Çelën, do të kenë të njëjtin fund.
“Destini i tyre është para drejtësisë”, u shpreh Basha. Drejtësia e pavarur dhe e pakapur politikisht është një mesazh tjetër që kryetari i PD-së dha në Durrës.
Duke e konsideruar Partinë Demokratike si e vetmja shpresë për vendin, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se pjesëmarrja masive në protestë është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.





