Policia e Durrësit ka ndaluar dy persona në kërkim kombëtar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar kanë bërë të mundur ndalimin e dy shtetasve, konkretisht:

• K. Vila 46 vjeç, banues në Fushë-Krujë;

•E. Alliaj 32 vjeç, banues në Durrës.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, në ngarkim të shtetasit K.Vila ka caktuar dënimin me 2 vite burg për veprën penale “Mashtrimi”, parashikuar në nenin 143/2 të Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, në ngarkim të shtetasit E.Alliaj ka caktuar dënimin me 4 muaj burg për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” parashikuar në nenet 143/1 dhe 186/1 të Kodit Penal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë dhe Durrës për veprime të mëtejshme.