Bashkim Balili, vëllai i një prej emrave më të përfolur sot të kronikës së zezë Klement Balilit, i ka dalë në mbrojtje vëllait të tij në lidhje me akuzat e ngritura nga shteti shqiptar për trafik droge.
Nga emisioni “Studio e Hapur” në News24, Bashkim Balili tha se nuk ka asnjë provë për akuzat ndaj Klementit. Ai akuzoi policinë për terror dhe tha se bashkë me të vëllain janë të gjithë të arrestuar, pasi policia i është futur në shtëpi në mes të natës dhe i ka marrë djalin 15-vjeçar. Ai u shpreh i pasigurt për jetën, raporton “BalkanWeb”.
“Në rastin e Klement Balilit jemi të gjithë të arrestuar. Policia futet në shtëpi në orën 2:30-3 të natës. Bën kontrolle, shoqërime të fëmijëve, adoleshentë 15-vjeçarë. Më ka marrë djalin për ta pyetur ku është xhahxai, dhe jo vetëm njëherë. Duke qenë gjithë kjo trysni si mund të mos kem frikë se jeta e vëllait tim është e sigurt. Lërë drejtësinë të bëjë punën e tij. Unë jam ndarë nga familja në ’87-ën, kam gruan fëmijët e mi. Kam punët e mia, kujdesem për familjen time, ekonominë. Vëlla e kam por kur shkojmë në shtëpi, gjithsecili ka punët e tij”, tha Bashkim Balili.
I pyetur nëse e ka takuar, ai tha se ka që në vitin 2016 dhe se nuk komunikon më me Klementin. Ai tregoi një rast kur i kishte telefonuar pasi u hapën fjalë se ishte vrarë.
“Njëherë që mori u detyrua sepse u hapën fjalë se e kanë vrarë”, tha ai. Në lidhje me pafajësinë e tij Bashkim Balili tha: “Atë do ta thojë vetë kur të vejë në bankën e të akuzuarve. Deri më sot nuk ka asnjë provë që Klement Balili është fajtor”.





